zoom

Bota

Sulm me bombë në Afganistan

Të paktën një person është vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi në provincën Nangarhar të Afganistanit, që goditi një konvoj të talebanëve sipas zyrtarëve lokalë.

Shpërthimi ndodhi në Jalalabad, në kryeqytetin e provincës lindore, Nangarhar, tha për DPA-në, një zëdhënës i talebanëve në këtë provincë, duke mos dhënë më shumë detaje.

Një burim në spitalin rajonal në Nangarhar tha se një luftëtar taleban është vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur, përfshirë edhe katër civilë, të cilët janë dërguar në spital, raporton REL.

Mediat lokale kanë cituar dëshmitarë të cilët kanë thënë se sulmi u shkaktua nga një bombë e vendosur përgjatë rrugës, e cila shpërtheu teksa konvoji i talebanëve po kalonte në atë zonë.

Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin me bombë, edhe pse dega lokale e grupit militant Shteti Islamik, e njohur me emrin Shteti Islamik-Khorasa (IS-K), më herët ka marrë përgjegjësinë për sulme të ngjashme në Jalalabad.

Talibanët dhe militantët e IS-K janë rivalë dhe kanë luftuar mes vete edhe para se talebanët të merrnin kontrollin e Afganistanit në gusht, teksa trupat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, u tërhoqën nga vendi.