zoom

Aktualitet

Plagosje dhe grabitje, kapet për ekstradim 29-vjeçari me 3 emra. I dënuar në Itali me 10 vite burg

Një 29-vjeçar njoftohet se ka rënë në prangat e policisë, për llogari të Italisë, pasi rezultonte në kërkim për disa vepra penale të rënda.

Burime zyrtare thanë se i ndaluari është Alfons Taraj, alias Afons Bibaj, alias Alfons Cani, që figuron i dënuar me mbi 10 vjet burgim në vendin fqinj.

“Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin e koduar “Operacionalja 6”. I dënuar me mbi 10 vjet burgim në Itali, për 5 vepra penale të rënda, arrestohet 29-vjeçari.

Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar Alfons Taraj alias Afons Bibaj alias Alfons Cani, 29 vjeç, lindur në Mamurras”, thuhet në njoftimin e policisë.

Teksa më tej sqarohet se Gjykata e Monzas, Itali, me vendimin e datës 19.10.2023, e ka denuar këtë shtetas me 10 vjet, 2 muaj e 11 ditë burgim, për tentativë për vrasje, armëmbajtje pa leje, vjedhje me pasoja të rënda, vjedhje me dhunë dhe për posedim sendesh të vjedhura.

“Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi”, sqaron policia. /ZOOM.AL/