zoom

Aktualitet

Piu kafe dhe bleu ushqim për familjen, 4 pista hetimi për vrasjen e Iljaz Çalit. Biseda e fundit

Në kërkim të autorëve të atentatit që i mori jetën Iljaz Çalit, policia ka sekuestruar një sërë kamerash sigurie, jo vetëm në vendngjarje.

Burimet e Policisë së Shtetit, i thanë Gazetasi.al se bazuar në këqyrjen në automjetit tip “Land Rover”, ku u gjetën dy kuti me ushqim dhe fatura e blerjes, rezultonte e orës 22.01 minuta e natës së krimit, policia kriminale ka kërkuar kamerat e sigurisë edhe përgjatë rrugës së Elbasanit për të zbuluar nëse po ndiqej viktima nga vrasësit gjatë asaj dite.

Një oficer policie u shpreh në anonimitet për Gazetasi.al, se i ndjeri kishte blerë ushqim në këtë njësi tregtare dhe fatura tregon vlerën prej 11 mijë lekë të vjetra.

Nga ana tjetër, kriminalistët shpjegojnë se si një sërë gëzhojash të sekuestruara model 56 konfirmojnë se ndaj viktimës u qëllua me armë automatike.

‘’Njëra nga gëzhojat u gjet pranë ndarëses në asfalt, tjetra në korsinë e shpejtësisë. Ishte model 56 dhe po ashtu edhe gëzhojat e tjera ishin në rrugën nga ku në parakalim, vrasësit qëlluan Iljaz Çalin.

Sipas policisë, që vazhdon ende hetimet intensive për të rënë në gjurmët e autorëve, makina e markës “Land Rover” ishte e shpuar në të dyja dyert e saj nga krahu i shoferit.

Dhe drejtues mjeti ishte pikërisht 35-vjeçari, i cili po kthehej në banesën private në dalje të kryeqytetit. Familja e tij ka hapur dyert e mortit.

I shoqëruar në një rast për çështje të kultivimit të drogës, dosja ndaj tij për këtë akuzë shumë shpejt nga arresti në mungesë nuk dihet se si iu shua dhe pa asnjë problem dhe llogari me drejtësinë, i riu figuronte prej vitit 2011 në qendrën kombëtare edhe si biznesmen.

Me shtëpi banimi pothuajse 200 metra larg aeroportit të Rinasit, siç shprehen për Gazetasi.al të njohurit e tij, ai nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim.

“Nuk ishte i tensionuar, se përndryshe do ruhej dhe mundësitë i kishte. Lëvizte shpesh dhe po ashtu lëvizte hapur në Tiranë, natën dhe ditën”, – komenton një nga shokët e të ndjerit, i cili këmbëngul se autoritetet duhet ta zbardhin sa më shpejt ngjarjen.

Por teksa skeda si biznesmen e të riut e tregon atë si një administrator të shoqërisë “Çali metal”, vendosur sipas mbiemrit të tij, i riu i hyri botës së kromit në Shqipëri  jo vetëm për shfrytëzim, por edhe për import-eksport.

Çali e nisi këtë biznes në kohën kur sapo kishte nisur eliminimi i biznesmenëve të kromit, si atentati ndaj një sipërmarrësi në këtë fushë, të quajtur Qerim Marku, atentati ndaj një tjetër biznesmeni në Tiranë, Hasan Talja apo breshëria me armë ndaj Diamant Trancit dhe Luan Drenovës, që mbetën të plagosur.

Që të gjithë i bashkon angazhimi në përpunimin e këtij minerali në Bulqizë. Edhe Iljaz Çali, një biznesmen kromi kishte ndërkohë një tjetër lidhje të ngushtë me një tjetër biznesmen në këtë fushë, si Gjin Nika, edhe ai i vrarë në një atentat të sofistikuar.

Policia i thotë Gazetasi.al, se veç gëzhojave, ka sekuestruar telefonin e viktimës, një aparat ‘promax’, që është dërguar për ekspertim kompjuterik, duke qenë se personat që e takuan atë të fundit, shprehen se gjatë orëve të fundit ai komunikoi intesivisht me një person, për identifikimin e të cilit policia po kryen disa veprime hetimore.

Por dëshmitë e shumë personave, tregojnë se viktima kishte pasur konflikte me dy biznesmenë të kromit, njëri nga të cilët i kishte një borxh prej 1 milion dollarë nga shitja e kromit.

Por përpos këtyre dëshmive, policia kriminale thotë për Gazetasi.al se pistat janë të shumta dhe nuk përjashtohet edhe fusha e kultivimit të drogës, por edhe një nga episodet e vjedhjes së parave në Rinas apo larje hesapesh.

Janë ngritur katër pista hetimi këmbëngul një zyrtar policie, që nuk është i qartë se cila prej tyre dominon, ndërkohë që janë lëshuar disa kërkesa për marrjen në pyetje edhe të punonjësve të Iliaz Çalit, të cilët do të konfirmojnë se cilat ishin problemet reale në fushën e shfrytëzimit dhe përpunimit të kromit./gazetasi.al