Aplikacion
Pirro Dhima, në kuadrin e fushatës elektorale për zgjedhjet europarlamentare, ku këtë radhë kandidon me të djathtën qeverisëse “Demokracia e Re”, ka konsideruar murin e lartë kufitar me Turqinë, si “mbrojtje kufitare e Greqisë dhe mbarë Europës”, duke shtuar se “është detyrë të mbështeten banorët dhe rojet kufitare për të qenë të gjithë BE më të sigurt”.
Ky postim ka shkaktuar mjaft reagime, jo vetëm nga e majta progresive, por edhe nga intelektualë bashkatdhetarë e emigrantë shqiptarë, si në median greke ashtu edhe në rrjetet sociale.
Gazeta të mëdha si “Efimeridha ton Sintakton”, “Documento”, etj., i kanë kujtuar Dhimës të kaluarën e tij të viteve të hershme si emigrant, duke shprehur zhgënjimin e thellë si për postimin ashtu dhe për sqarimin e mëtejshëm, ku Pirro Dhima shton se “ndryshe nga muret që ngrinte Shqipëria për të na izoluar, ky mur u ndërtua për të na mbrojtur”.
Reagimet e shumta në median greke dhe rrjetet sociale kritikojnë thellë pozicionimet pro ekstremistëve, siç konsiderohet, nga një njeri me të kaluar thuajse të njëjtë me emigrantët e sotëm.
“Gjynah për fotografinë e Pirros pranë gardhit të Evros. Të merresh me partitë (konservatore) në pushtet është një gjë – dhe është tjetër gjë të fotografohesh me arrogancë të pashpjegueshme pranë një simboli të përjashtimit dhe shtypjes”, shkruan një gazetar në rrjetin social Facebook. /ZOOM.AL/