zoom

Aktualitet

Peshohet sasia e kokainës së sekuestruar në Durrës

324 kilogramë e 400 gramë është sasia e kokainës së sekuestruar një ditë më parë në Portin e Durrësit. Peshën e kokainës së sekuestruar e konfirmoi këtë të Shtunë policia, duke informuar se ka përfunduar peshimi i drogës.

Aksioni

Policia sqaroi se është kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut, ku u gjet droga.

Drejtuesi i kamionit Nazif Ajrosk, 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, u vu në pranga.

Sikur duket edhe në foton e publikuar nga policia e shtetit, kokaina ishte e paketuar me logot e “Chicago Bulls”, “Dior” dhe ekipit të PSG-së.

Kamioni ka hyrë nga pika kufitare e Qafë Thanës dhe nesër do nisej për në Itali, ku destinacionin e kishte në Napoli.

Mësohet se itinerari i kamionit ishte: Belgjikë-Serbi-RMV-Shqipëri.

Kamioni ka qenë i ngarkuar me hekur dhe kokaina ishte e fshehur në trupin e kamionit. Nga dëshmia e drejtuesit të kamionit, mësohet se ai ka deklaruar para policisë se nuk ka pasur dijeni për sasinë e drogës, ndërsa transportonte materiale ndërtimi.

Në muajt e fundit në portin e Durrësit janë kapur apo zbuluar sasi të ndryshme lënde narkotike, kryesisht që vinte nga Amerika Latine apo ajo Qendrore, hynte në Shqipëri dhe kishte si destinacion vendet e BE-së. Rasti më i fundit ishte zbulimi i rreth 400 kg lëndë narkotike, e cila pasi kaloi territorin shqiptar u kap në Kosovë, në kuadrin e një operacioni të përbashkët mes autoriteteve shqiptare, kosovare dhe DEA-s amerikane, e cila njoftoi mbi sasinë e lëndës narkotike.