zoom

Lajme

Përsëri tensione në Parlament, opozita me të njëjtin skenar zhurmuesish. Garda bllokon foltoren

Parlamenti i Shqipërisë u mblodh sot, ndërsa në rend të ditës janë për t’u diskutuar katër projektligje.

Por pavarësisht rendit të ditës me 7 pika, opozita nuk ka hequr nga skenari i saj, ai i bllokimit të punimeve, duke i rënë zhurmuesve.

Punonjësit e Gardës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit. Drejtuese e seancës ishte zv.kryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, e cila nuk harroi pa uruar mësuesit me rastin e festës së 7 Marsit.

“Sot është një ditë e veçantë. Në respekt të kësaj dite, të 7-8 marsit të urojmë mësuesit, edukatorët dhe pedagogët. Mendoj që do t’ia vlente sado pak respekt. Nuk kërkoj t’ju imponohem, por sjellja juaj sot duhet të ndryshonte në respekt të këtyre ditëve. E çelim seancën plenare”, tha ajo.

Fillimisht do të diskutohet projektligji për “burimet ujore”, më tej do të jetë projektligji për “Turizmin”. Po ashtu, në rend të ditës është edhe projektligji për “Investimet Strategjike”, si dhe projektligji për “Mbrojtjen e konkurrencës”. Në fund, është dhe pika e diskutimeve jashtë rendit të ditës.

Dje, në mbledhjen e grupit parlamentar të Rithemelimit, u diskutua mbi skenarin që do të ndiqet sot në seancën plenare. Mësohet se do të vijojë po i njëjti skenar, ai i bllokimit të punimeve të seancës, ndërsa tre deputetë u përjashtuan dje.

Bëhet fjalë për Flamur Nokën, i cili u përjashtua me 30 ditë nga punimet e Kuvendit, Bledjon Nallbati me 20 ditë dhe Saimir Korreshi me 5 ditë. /ZOOM.AL/