Aplikacion
Aktorja ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që e kanë mbështetur duke u shprehur se “u jam falenderuese atyre që kuptuan e ndjenë dhimbjen time”.
Gjithashtu ka falenderuar kolegët e saj që u solidarizuan me të dhe shprehet se u është mirënjohëse deri në lot.
“Miq dhe dashamirës, Ndjej dhe dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen dhe kurajon që më keni dhënë përgjatë këtyre ditëve kaq shqetësuese për mua dhe familjen time! U jam falenderuese të gjithë atyre që u ulën dhe më shkruan fjalë zemre, atyre që kuptuan dhe ndjenë dhimbjen time!
Artistë të shquar e të nderuar të vendit tim, nga brezat që na kanë bërë e vazhdojnë të na bëjnë krenarë e që janë një pasuri kombëtare, deri te brezat e rinj të artit e kulturës në vend, u bashkuan në një peticion sensibilizues në mbështetje të një dinjiteti njerëzor!
Ju jam përulësisht mirënjohëse, deri në lot! 🤍” shkruan Elia Zaharia.
Incidenti i rëndë në Oborrin Mbretëror shqiptar ndodhi më 5 mars, ku Elia Zaharia dhe Princ Leka denoncuan njëri-tjetrin për dhunë.
Policia tashmë ka nisur verifikimet dhe marrjet në pyetje, mbi bazën e veprave të dëmtimeve fizike dhe kanosjes.
Babai i Elia Zaharisë, Gjergj Zaharia, ka deklaruar se ndryshe nga sa pretendon princ Leka, i cili ka deklaruar në polici se është sulmuar nga ish-vjehrri, ka ndodhur e kundërta.
Sipas dëshmisë paraprake, Zaharia ka thënë se ka vepruar në vetëmbrojtje dhe se ka qenë Princi Leka ai që e kam sulmuar, teksa u ka shkuar në banesë.
Nga ana e tij, Princi Leka denoncoi se shkoi të takonte vajzën 3-vjeçare, por u godit me sende të forta, edhe nga ish-gruaja, që e sulmoi me një bust.
“Jam i moshuar. Me zor qëndroj në këmbë, e jo të sulmoj një djalë të ri. Jam i moshuar dhe nuk e kam goditur unë i pari. Ishte Leka ai që më sulmoi dhe më goditi i pari. Unë jam vetëmbrojtur”, dëshmoi ai për grupin hetimor.
Kurse Elia Zogu pretendoi se ish-bashkëshorti u shfaq agresiv:
“Erdhi i agresuar dhe u bë i dhunshëm. Më ka kapur prej duarsh, më ka shtyrë dhe ka tentuar që të më godasë. Ne jemi vetëmbrojtur”, tha ajo, duke mbajtur të njëjtën linjë dëshmie si i ati.
Çifti u nda në fund të muajit janar të këtij viti zyrtarisht, teksa Princi leka nisi lidhje më një fotografe, por martesa sipas dëshmive, kishte mbi një vit që nuk funksiononte më. /ZOOM.AL/