zoom

Aktualitet

Përgjaken rrugët e Divjakës/ Dy aksidente në 30 minuta, 2 viktima e 5 të plagosur

Rrugët e Divjakës janë përgjakur mbrëmjen e kësaj të marte pasi dy aksidente të rënda rrugore kanë ndodhur në harkun kohor të 30 minutave.

Aksidenti i parë është regjistruar në aksin rrugor “Gradishtë-Spolat”, ku i riu me inicialet L.D. ka humbur kontrollin e mjetit tip “Mercedes Benz” duke dalë nga rruga. Për pasojë drejtuesi ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa të plagosur kanë mbetur 4 miqtë e tij, të gjithë të grupmoshës nga 19 deri në 24 vjeç.

“Rreth orës 16:30, në aksin rrugor “Gradishtë-Spolat”, shtetasi L. D., duke drejtuar automjetin tip “Benz” ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë, ka ndërruar jetë drejtuesi i automjetit dhe janë dëmtuar pasagjerët, shtetasit Xh. S., 19 vjeç, R. D., 23 vjeç, F. C., 18 vjeç dhe D. D., 24 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e uniformave blu.

Vetëm gjysmë ore më pas në aksin rrugor “3 Urat-Cermë” është regjistruar një tjetër aksident i rëndë, ku viktimë ka mbetur një 80-vjeçare, ndërsa mjeti drejtohej nga e bija e saj me iniciale B.A.

“Rreth orës 17:00, në aksin rrugor “3 urat-Çermë”, shtetasja B. A., duke drejtuar automjetin tip “Opel” ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë, ka ndërruar jetë pasagjerja në automjet, shtetasja H. A., si edhe është dëmtuar dhe po merr ndihmën mjekësore në spital, drejtuesja e automjetit, shtetasja B. A.“, njofton policia.

Grupet hetimore po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të të dy aksidenteve.