zoom

Politikë

Përçarje Rama-Veliaj? Kryeministri nuk e fton në Kongresin e Arsimit

Kongresi Kombëtar i Arsimit e nxorri më në pah krisjen e marrëdhënieve mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Në ditën e parë të nisjes së shkollës, kryetari  i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në Kongresin e Arsimit, ku kryeministri Rama mbajti një ligjëratë të drejtë dhe ku kishte ftuar me qindra socialistë, ministra, punonjës administrate, ambasadorë etj.

Burime të besueshme thanë për Zoom.al se Veliaj nuk ishte i ftuar.

Eventi zgjati mbi 1 orë dhe kryeministri ligjëroi mes të besuarve të tij ëndrrat për një arsim evropian.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u mjaftua me një urim në rrjetet sociale për nxënësit.

Pak minuta pas mbylljes së Kongresit të Arsimit ai u shfaq në shkollën Sami Frashëri. Ajo ishte zgjedhur për shkak se është një shkollë e bërë nga e para, pasi ndërtesa e vjetër u shemb nga tërmeti. Por Veliaj e shfrytëzoi edhe për të lëshuar një mesazh, ndoshta për kryeministrin.

“Kam një mesazh për Kaltrën, Marsin dhe për çdo vajzë dhe djalë të Tiranës: Kjo shkollë ka prodhuar kryeministra, presidentë, disa kryetarë bashkish, ka prodhuar pafund ministra, personalitete, por qartazi, gjenerata jonë, edhe pse ia doli të kishte sukses, ca gjëra nuk i bëri në mënyrë perfekte”.

Erion Veliaj ka qenë vetë nxënës i kësaj shkolle. Në këtë kontekst, mesazhi duket më shumë për Edi Ramën, të cilit flitet prej kohësh se po punon që t’i zërë vendin. Veliaj e ka lidhur aq shumë miqësinë me biznesmenë të fuqishëm e pronarë mediash, saqë kjo duhet se nuk i shkon ende për shtat kryeministrit, i cili s’ka ndër mend ende që të largohet nga kolltuku i tij dhe aq më pak nga politika.

Kryeministri u përfshi në një konflikt pak ditë më parë me televizionin News 24. Por teksa News 24 sulmonte kryeministrin, transmetonte pa ndërprerje edhe aktivitetet gati bajate te kryebashkiakut, si mbjellje pemësh e pastrim gjethesh.

Si pjesë e konfliktit Rama – Veliaj u panë edhe deklaratat e Ramës kundër ndërtimeve pa leje në Tiranë. Edhe pse për pallatet shumëkatëshe ai e ka dhënë lejen vetë, bashkia është përgjegjëse kryesore për mbrojtjen e territorit. Pallati i vetëm që ai u ndal ishte “Syri i Tiranës”, i kompanisë “Arlis Construction”, me pronar Armand Lilon, një lidhje e ngushtë e Veliajt dhe kushëri i bashkëshortes së ish -ministrit Fatmir Xhafaj, edhe ai i lidhur me Veliajn e qejfmbetur me Ramën.

Në rrjetet sociale konflikti Rama – Veliaj është amplifikuar deri aty sa thuhet se Rama mund të ketë gjetur pasuesin e Veliajt për zgjedhjet e ardhshme vendore. /Zoom.al