zoom

Aktualitet

Për rekord Guiness: Kompanitë e dhëndrit të Kujtim Qefalisë, 76 tendera nga Erion Veliaj!

Emisioni “Plug” në SYRI TV publikoi mbrëmjen e së mërkurës, fakte të reja sesi pronarët e shumë kompanive që marrin tendera nga Bashkia e Tiranës, kanë lidhje nepotike të forta në institucionin e drejtuar nga Erion Veliaj.

Arsona Vasili Hoxhaj – Specialiste e Lartë në Shërbimet Sociale në Bashkinë e Tiranës. Arsona, teksa është punonjëse e shtetit, rezulton gjithashtu se është zotëruese e shoqërisë ISEC SHPK, të cilën ja kanë dhuruar prej datës 3 korrik 2015. Sipas të dhënave, kjo shoqëri rezulton se ka përfituar të paktën 12 tendera publik.

Nga të dhënat e OPEN DATA, ISEC shpk, e Arsona Hoxhës, vetëm nga bashkia e Tiranës, si operator i vetëm ekonomik, ka pëfituar gjashtë tendera publik, vlera e të cilëve shkon në rreth 137 mijë euro. Tenderat e tjerë, kjo shoqëri i ka fituar nga insttiucione si: KESH, Albpetrol, OSSH etj.

Për llogari të shoqërisë së Arsona Vasilit, deri më tani janë disbursuar nga buxheti i shtetit, rreth 660 mijë euro pagesa, për tenderat publikë që ajo ka fituar. Një nga tenderat e majme që kjo kompani ka përfituar, është ai i datës 3 gusht 2022. Në atë kohë, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, e drejtuar nga Ergys Verdho, vendosi të zhvillojë një tender me objekt: sistemi satelitor i parashikimit meteorologjik.

Tenderi u përfol në media si abuziv, për shkak se po në atë kohë, qeveria njoftonte se do të lëshonte dy satelitë në hapësirë. Tenderi për satelitët e Ergys Verdhos që iu dha kompanisë ISEC ishte në vlerën e rreth 1.5 milionë eurove. Jo vetëm shoqëria “ISEC shpk”, në pronësi të vetë vartëses së Erion Veliajt, por kliente e bashkisë së Tiranës, është dhe kompania e vëllait të Arsona Vasilit, Aleksandri Vasili.

Ky i fundit, Aleksandri, lidhjen nepotike me bashkinë e Tiranës, e ka edhe më të fortë.

Veç motrës që punon në bashki si specialiste, Aleksandri Vasili, rezulton se është dhëndër i Kujtim Qefalisë, Administratorit të Njësisë Adminstrative Dajt, njëherazi vëllai i deputetit socialist, Xhemal Qefalia.

Kujtim Qefali ka qenë kryetar I komunës Dajt nën siglën e Partisë Socialiste nga viti 2007 deri në vitin 2015. Gjatë kësaj periudhe, zona e Dajtit, deri në Fresk, iu nënshtruar një abuzimi urban, me ndërtime pa kriter dhe pa plan urbanistic, duke e kthyer shumë shpejt këtë zonë në një ndër më të betonuarat në kryeqytet. Vëllezërit Kujtim dhe Xhemal Qefalia, janë gjithashtu ndërbashkëpunëtorët e afërt të Erion Veliajt pas vitit 2015 në bashkinë e Tiranës.

Aleksandër Vasili, është ortaku i vetem i kompanisë “Al Point” shpk. Kjo kompani është themeluar vetëm kur Aleksandër Vasili ishte 25 vjec. Kompania Al-Point shpk, është themeluar në 3 gusht të vitit 2010. Nga themelimi e deri më sot, kjo shoqëri ka pasur një ecuri kontradiktore. Në mbi 10 raste, ndaj kompanisë “AL-Point”, është vendosur masë sekuestro, herë nga Drejtoria e Tatimeve dhe herë nga përmbarues privat.

Nga një vëzhgim mbi bilancet financiare të shoqërisë, vihet re se nga viti 2010 e deri në vitin 2016, ka pasur vazhdimisht humbje.  Mirëpo në të njëjtën periudhë, kur Kujtim Qefalia, vjehrri i tij ishte kryetar i komunës së Dajtit, kompania e Aleksandri Vasilit përfitoi tre leje ndërtimi. Njëra e datës 10 tetor 2011, për ndërtimin e një godine banimi pesë katëshe pranë shkollës 9 vjeçare Qesarakë dhe tjetra e datës 14 nëntor 2011 godinë shtatë kate pranë restorant Freskut.

Në datën 25 maj 2012, kjo shoqëri përfiton edhe një tjetër leje ndërtimi për godinë banimi pesë kate në Shkozë.  Pas vitit 2016, shoqëria “Al-Point” e Aleksandri Vasilit, raporton rritje të fitimeve, të cilat kulmojnë me vitin elektoral 2021, ku kjo shoqëri raporton një fitim me rreth 450 mijë euro dhe xhiro rreth 6.6 milionë euro. Midis viteve 2020 – 2021, kompania Al-Point e Aleksandri Vasilit, dhëndri i Kujtim Qefalisë dhe vëllai i Arsona Hoxhës, të dy vartës të Erion Veliajt, përfiton dy leje ndërtimi për pallat si dhe tenderin nga programi i rindërtimit për ndërtimin e një pallati te lagja 5 Maj.

Në datën 7 dhjetor 2020, Al-Point regjistron në QKB adresën dytsore për ndërtimin e një objekti dhe shërbimi me 2.6 dhe 7 kate me 2 dhe 3 kate parkimi nën tokë te rruga e Dibrës.  Tre muaj më vonë, në datën 11 mars 2021, kjo shoqëri regjistron adresën dytsore për ndërtimin Godinë Banimi dhe shërbimi 1.6 dhe 7 kate me dy kate parkimi nën tokë.

Në të njëjtin muaj, pra në datën 24 mars 2021, kjo shoqëri regjistron edhe adresën e ndërtimit të godinë banimi 5 dhe 1 kat nëntokë, te lagja 5 maji. Kjo është godina e tenderit 4.8 milionë euro nga programi i rindërtimit dhënë nga Bashkia e Tiranës me firmen e Erion Veliaj. Këtë tender shoqëria “Al-Point” E Aleksandër Vasilit e mori në datën 26 nëntor 2020, fiks një vit pas rënies së tërmetit të nëntorit 2019.

Sipas të dhënave të tenderit, kompania e Alkesandër Vasilit, dhëndrit të Kujtim Qefalisë, do të duhet të ndërtonte një pallat për banorët e prekur nga tërmeti në zonë e “5 Majit” në Tiranë. Në datën 26 nëntor 2020, Al-Point, përfiton së bashku me një tjetër kompani, tenderin me objekt “Hartim i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 19 në zonën zhvillimore “5 Maji”.

Aleksandër Vasili u bë I njohur për publikun në vitin 2020, kur ai u shoqërua në polici për vrasjen e Santiago Malkos. Nga hetimet rezultoi se Aleksandër Vasili u kishte dhënë një restorant dhe një mjet tip blind në përdorim vëllezërve Duka, të cilët u dyshuan se fshiheshin pas ngjarjes së rëndë.

Aleksandër Vasili u shoqërua në polici për këtë rast, teksa pranoi se kishte njohje dhe u kishte dhënë vëllezërve Duka një mjet blind në përdorim. Por ndaj tij nuk pati më asnjë hetim, teksa duket se edhe në këtë rast politika ka qenë mburojë.