zoom

Bota

“Për 2 muaj…”/ Ekspertja e shëndetësisë: Omicron-i po sjell fundin e pandemisë

Një eksperte shëndetësie në Danimarkë thotë se Omicron-i po sjell fundin e pandemisë dhe se do të kemi një jetë normale duke nisur pas dy muajsh.

Teksa foli për TV danez, Tyra Grove Krause tha se një studim i ri zbuloi se rreziku i shtrimit në spital nga Omicron-i është sa gjysma e asaj që shihet me variantin Delta. Kjo, tha ajo, u ka dhënë autoriteteve daneze shpresë se pandemia Covid-19 në Danimarkë mund të përfundojë brenda dy muajsh.

“Unë mendoj se do ta kemi në dy muajt e ardhshëm, dhe më pas shpresoj se infeksioni do të fillojë të ulet dhe ne të kthehemi në jetën tonë normale”, tha ajo.

Pavarësisht frikës se Omicron-i mund të zgjasë pandeminë për shkak të rritjes së infektimeve, Krause tha se në të vërtetë mund të shënojë fundin e pandemisë.

“Omicron-i është këtu për të qëndruar dhe do të sigurojë një përhapje masive të infeksionit në muajin e ardhshëm. Kur të përfundojë, do jemi në një vend më të mirë se më parë”.

Por ndërsa numri i infeksioneve po rritet, ekspertja tha se Omicron-i duket më i butë se varianti Delta, dhe për këtë arsye më shumë njerëz do të infektohen pa simptoma serioze. Si rezultat, ekspertja tha se kjo do të sigurojë një nivel të mirë të imunitetit në popullatë.