Aplikacion
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani tha gjatë komisionit të Ekonomisë se mund të diskutohet përshpejtimi i zbatimit të skemës së rritjes së moshës, por jo përtej 67 vjeç.
Manjani tha se një ndër propozimet e Bankës Botërore ka të bëjë edhe me propozimin për rritjen e moshës së pensionit, por se ky propozim, sipas saj, është kundërshtuar, pasi ky element është ezauruar në reformën e vitit 2014.
“Refomimi i skemës së sigurimeve shoqërore është shumë i rëndësishëm për të marrë parasysh faktorët që ndikojnë skemën.
Një ndër propozimet e BB ka të bëjë edhe me propozimin për rritjen e moshës së pensionit. Ne e kemi kundërshtuar, pasi ky element është marrë parasysh në reformën e vitit 2014, ku ka nisur rritja për gratë dhe do të fillojë për burrat në 2032. Në vitin 2056 do të ketë barazim të moshës, 67 vjeç për secilën gjini. E vetmja që mund të ndryshojë është përshpejtimi në zbatimin e skemës së rritjes së moshës së pensionit, por jo përtej 67 vjeç”, deklaroi Manjani.
Zv/ministrja Manjani tha se shpenzimet e skemës së pensioneve në 10 vite janë rritur me 75 mld lekë, ndërsa të ardhurat me rreth 70 mld lekë.
“Të gjitha këto shpenzime janë transferuar në buxhetet familjare të qytetarëve. Në raport me PBB rritja e shpenzimeve është nga 7.08 % e PBB në 7.38 % e PBB-së, ose një rritje me 0.3 % e PBB. Të ardhurat, nga 51.3 miliardë lekë që ishin të ardhurat në skemën e sigurimeve shoqërore në 2013-ën, në 124 miliardë lekë në 2023 dhe 132 miliardë lekë që parashikohet të jetë deri në fund të vitit 2024”, u shpreh zv.ministrja.