zoom

Ekonomi

Pensionet, në rrezik. Skema e qeverisë është e dështuar. KLSH:  122 miliardë lekë të papaguara

Pensionet e personave që janë aktualisht të punësuar, janë në rrezik. Shkak është mos arkëtimi i të ardhurave nga kontributet nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Të dhënat zyrtare tregojnë 16,521 milion lekë mungojnë në fondin e sigurimeve shoqërore dhe të kujdesit shëndetësor. Për pasojë, një numër i konsiderueshëm punëmarrësish nuk mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Peshën kryesore në realizimin e të ardhurave e zënë DR Tatimpaguesit e Mëdhenj ose biznesi Vip me një vlerë prej 38 % të të ardhurave bruto dhe të ardhurave nga kontributet, konstatohet se kjo drejtori paraqet një performancë jo të mirë duke rezultuar me një mosrealizim të planit të të ardhurave në masën për 8,3%. Sipas KLSH-së, për detyrimet e papaguara deri me datë 31 dhejtor 2020 shuma është 122.4 miliard lekë. Gjatë vitit 2020, stoku i detyrimeve tatimore ka pësuar një rritje neto prej 5.4 miliard lekë krahasuar me fillim vitin 2020 në DPT.

DRT FIER

Sipas pasqyrave financiare të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier për vitin 2019, sipërfaqet e evidentuara të tokave dhe trojeve, në llogarinë 210, zëri “Toka, troje, terrene” rezultojnë me vlerë 0 lekë, nga 21,728,526 lekë që duhej të ishte pasqyruar, veprim ky jo në përputhje me përcaktimet e VKM nr.89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e vlerës së hartës së tokës në Republikën e Shqipërisë.

Sipas ligjit vjetor te buxhetit dhe shpërndarjes së miratuar nga DPT, për vitin 2018, të ardhurat tatimore rezultojnë me mosrealizim prej -14%  më pak se plani i parashikuar.

Për vitin 2020, të ardhurat tatimore rezultojnë me mosrealizim prej -14.06% më pak se plani. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, në të cilën të ardhurat u realizuan 4,461,945 mijë lekë, rezultatet janë në rënie -39.09%. Sipas rekomandimit të KLSH-së, DRT Fier/Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse në DRT Fier, të marrë masa për të saktësuar vlerën e “Aktiveve Afatgjata”, “Toka, Troje, Terrene” si dhe për të kontabilizuar e paraqitur në pasqyrat financiare vlerën e drejtë të AAM.

AZHBR

Nga auditimi i Agjensisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural u konstatuan se për të dy vitet objekt auditimi mungojnë raportet e monitorimit 4-8-12 mujore të buxhetit të AZHBR-së, të cilat dërgohen në ministrinë e linjës për periudhën 1 janar 2019  deri në 3 mars 2021.

Mos ndarja e fondeve për shpenzime korrente dhe për investime ndikon në humbjen e gjurmëve të fondeve, të cilat duhet të monitorohen për periudha pesë-vjeçare, e cilat me ndryshimet e reja kjo periudhë është bërë 7 vjet”. Mos evidentimi i saktë i shumave në “Pasqyrën e ndryshimeve në aktivet neto/ fondet neto” ka sjellë një mospërputhje të llogarive dhe keq klasifikim të tyre, duke denatyruar rezultatin financiar të institucionit, si dhe mos pasqyrimin e saktë të fondeve neto të Institucionit.

Sipas KLSH-së, Drejtoria e Financës së AZHBR-së duhet të marrë masa për regjistrimin e vlerës prej 225,432,829 lekë, duke debituar llogarinë 28 “Caktime te Aktiveve Afatgjata” dhe kredituar llogarinë 106 “Nga grantet e Jashtme kapitale (+)”.

Gjithashtu Drejtoria e Financës së AZHBR-së duhet të marrë masa për sistemimin kontabël të vlerës prej 125,000,000 lekë, duke debituar llogarinë 105 “Nga grantet e brendshme kapitale (+)” dhe kredituar llogarinë 106 “Nga grantet e Jashtme kapitale (+)”, për të njëjtën shumë.

KLSH rikërkon që AZHBR dhe MBZHR , të ngrejnë grup pune të veçantë, për analizimin e shkaqeve dhe arsyeve, të mos arkëtimit të vlerës prej 2,058,454,729 lekë, pasi nga ky veprim nuk është krijuar fondi kundërparti dhe për pasojë nuk është vazhduar me skemën e rifinancimit në dobi të fermerëve të tjerë./ Armand Kullau