zoom

Aktualitet

Pengmarrja e Jan Prengës, i vëllai në gjyq: Këta janë personat që me telefonuan për drogën

Ndrek Prenga, vëllai i Jan Prengës, që u mor peng në Kamzë dhe u zhduk në Shijak vitin 2020, ka treguar në Gjykatën e Posaçme për Krimet e Rënda dhe Korrupsionin për sasinë e drogës që i futi në konflikt me një prej grupeve më të mëdha të narko-trafikantëve shqiptarë.

Ai rrëfeu se e kishin marrë në telefon disa persona gjatë kohës që kishte qenë në qeli. I kishin kërkuar që të kthente sasinë e kokainës që kishte rrëmbyer në një port në Angli dhe do t’i lironin të vëllain.

“Gjatë kohës që isha në qeli me ka marrë Gentian Funiqi dhe një person që m’u prezantua si Gramozi. Pas rrëmbimit unë kam telefonuar personat që më kishin marrë në telefon, Gentjan Doçin dhe Gramozin dhe kam biseduar me ta për të kthyer gjërat. Gramozi me ka thënë nuk ke pune me mua, por me shkodranët dhe me Doçin. Biseda ka qenë për të kthyer gjërat dhe për të liruar pengun. Pengu doli me pas që kishte vdekur” – tha Ndrek Prenga.

Në gjykatë dëshmoi edhe vëllai tjetër, Anton Prenga. Ai tha se në atë kohë kishin dalë disa persona që pretendonin se sasia e kokainës së grabitur ishte e tyre. Tha se droga ishte kthyer, por pas kthimit nuk kishin marrë asnjë përgjigje për vëllain e tyre Jan Prengën. Makina që rrëmbeu Prengën u pa për herë të fundit në kompleksin Golden të vëllezërve Hajri, në Shijak. /Zoom.al