Aplikacion
“Ilir Meta ka qenë nxitës i djegies së mandateve, njësoj si të tjerët. Disa të tjerë si Ilir Meta hedhin gurin e fshehin dorën, këtë bëri pas 21 Janarit pastaj shkoi u puth me Ramën në Shkodër”, u shpreh Basha.
Kryetari i PD-së theksoi se me Ilir Metën dhe Partinë e Lirisë nuk do të ketë asnjë marrëdhënie politike, teksa e quajti kreun e PL-së “pazarxhi kronik”.
“Ilir Meta është përfituesi më i madh i pushtetit të Ramës, është faktori kryesor për ardhjen e Ramës në pushtet dhe mbajtjen e tij në pushtet në 2017, dhe me çmenduritë e tij në 2021 të malit me gropa. Për ne Ilir Meta ka pushuar së ekzistuari si faktor politik, por si kryetar i PD qëndrimi im është që me Ilir Metën dhe PL nuk ka për të pasur më asnjë marrëdhënie politike. Janë apo është pazarxhi kronik i cili problemet nuk i ka më as me PD, por atje ku i ka, të përballet me problemet që ka”, tha Basha.
Gjithashtu kreu i PD ka ironizuar protestat e “Rithemelimit” teksa u shpreh se thërrasin një tubim kundër korrupsionit para bashkisë dhe në ballë të saj vendosin Ilir Metën.
“A ka njeri që nuk e kupton që ky është autogol?!”, tha Basha, gjatë një konference për shtyp. Ndërsa theksoi PD do të distancohet nga njerëz, që sipas tij, “me dyfytyrësinë e tyre janë autorët e ardhjes në pushtet të Ramës në 2013 dhe përfituesit më të mëdhenj nga pushteti i Ramës”.
“Të përdorësh një foltore për të promovuar një karkasë politike kjo për mua është. S’ka rëndësi kush po promovon. Të thërrasësh protestë kundër korrupsionit në bashki, dhe të vendosësh në ballë të protestës Ilir Metën?
A ka njeri që nuk e kupton që ky është autogol. PD do të distancohet nga njerëz që me dyfytyrësinë e tyre janë autorët e ardhjes në pushtet të Ramës në 2013 dhe përfituesit më të mëdhenj nga pushteti i Ramës, Këtë po e bëjnë jo për qytetarët, por për vete”, u shpreh ai. /ZOOM.AL/