zoom

Aktualitet

Pastrimi i parave, DASH nxin Shqipërinë: Trafiku i drogës, burimi kryesor i parave të pista

“Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të rëndësishëm drejt pengimit të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në vitin 2020”, shkruhet në raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjetit të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare.

Më tej, raporti vijon:

“Krime të mëdha që krijojnë të ardhura në Shqipëri përfshijnë trafikun e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje me rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut. Shqipëria regjistroi një progres me përdorimin e ligjit të konfiskimit antimafia, duke përfshirë konfiskimin e 40 përqind të pasurive që i përkasin mbretit famëkeq të drogës, Klement Balili, i quajtur “Eskobari i Ballkanit”. Reformat gjyqësore në vazhdim, duke përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të çrrënjosur korrupsionin nga sektori i drejtësisë dhe krijimi i njësive të shumta të specializuara të policisë që synojnë financat dhe krimet ekonomike, kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për adresimin e pastrimit të parave. Sidoqoftë, këto përpjekje vështirësohen nga sfidat e drejtësisë së krijuar së fundmi dhe korrupsioni i përhapur, që minon shtetin e së drejtës”.

Departamenti Amerikan i Shtetit ndalet te metodologjitë e pastrimit të parave:

“Trafikimi i narkotikëve dhe aktivitetet e tjera të krimit të organizuar janë burimet kryesore të pastrimit të parave. Afërsia e Shqipërisë me Evropën Perëndimore dhe prania e shqiptarëve në organizata kriminale të Evropës Perëndimore dhe Amerikës së Jugut rrit problematikat. Investime në pasuri të paluajtshme dhe projektet e zhvillimit të biznesit janë ndër metodat më të përhapura të pastrimit të paligjshëm të të ardhurave. Boshllëqet ligjore në legjislacionin AML 2019 lejojnë ende veprimtarinë e kazinove në vendpushimet me pesë yje dhe ato turistike”.