zoom

Aktualitet

Paratë ruse, Kryemadhi padit Top Channel-in: Kanë shpifur, kërkoj 400 mijë euro dëmshpërblim

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka paditur këtë të Martë në Gjykatën e Tiranës, televizionin “Top Channel”. Kryemadhi kërkon dëmshpërblim prej 400 mijë eurosh nga televizioni dhe heqje të disa raportimeve rreth saj, që deputetja i vlerëson të pavërteta. Raportimet lidhen me disa pagesa që sipas televizionit, Monika Kryemadhi ka marrë nga Rusia.

Padia – Në padinë e depozituar në dhomën civile, ish-kryetarja e LSI-së kërkon dëmshpërblim nga televizioni “për dëmin jo pasuror të shkaktuar si rezultat i fyerjes dhe shpifjes publike, me pasoje cenimin e nderit, personalitetit dhe reputacionit si individ dhe si politikane, në masën 400,000 (katërqind mijë) euro”.

Po ashtu kërkon nga “TCH” të heqë të gjitha shkrimet që përmbajnë thënie të pavërteta, në faqen e saj të internetit, portalet e lajmeve, kronikat dhe emisionet e publikuara prej saj në YouTube, për paditësen nga data 18.03.2023 e në vijim”.

Gjithashtu, kërkon “detyrimin e palës së paditur shoqëria ‘Top Channel’ sh.a., që të botojë me shpenzimet e veta në mediat kombëtare vendimin përfundimtar të gjykatës”, si edhe të “paguajë shpenzimet gjyqësore dhe avokatore”.

“Do ketë dhe kallëzim penal”

Monika Kryemadhi paralajmëroi dhe kallëzim penal për çështjen.

“Sot ndalova në Gjykatën e Tiranës për të dorëzuar një padi civile për shoqërinë Top Channel e cila në mënyrë të vazhdueshme ka ushtuar denigrimin, intimidim, mashtrim ndaj figurës time si person publik, si deputete, si politikane, si individ. Sot dua të ngre një proces komplet tjetër jo vetëm për të sensibilizuar veten time në radhë të parë por për të treguar edhe një herë që shoqëria jonë shqiptare ka nevojë që të ndryshojë mentalitetin për të mos qenë më pre e presioneve, intimidimeve apo shantazheve të shoqërive të caktuara të cilat kanë për detyrë të informojnë qytetarët, kanë për detyrë të informojnë opinionin publik, jo ta dezinformojnë, jo ta pasurojnë me dokumeta fiktive, false të manipuluara por të dhënë një mesazh të duhur për të cilën ka nevojë sot shoqëria shqiptare”, tha Kryemadhi për gazetarët në ambientet e jashtme të gjykatës.

“Ajo që unë dua të bëj të ditur që nëpërmjet kësaj padie civile dua të rikthejmë dhe të risjellim edhe një herë një mentalitet të ri dhe në fund të fundit edhe për të rikthyer dhe besimin tek drejtësia. Sepse ka ardhur momenti që çdo gjë të shkojë sipas asaj procedure për të cilën ne kemi nevojë. Unë e kuptoj që është pak e vështirë por dua që edhe sot mos të jenë me ata të cilët përdorin paratë publike për të paguar grupe të caktuara mediatike dhe për t’i përdorur ata për të luftuar dhe sulmuar kundërshtarët e tyre politikë. Nesër do ta pasoj me një kallëzim penal për veprën penal që ka kryer shoqëria Top Channel ndaj meje duke paraqitur dokumenta të falsifikuara apo edhe duke ushtruar shantazh dhe duke manipuluar dhe mashtruar opinionin publik. Përveç kësaj kam kërkuar dhe një dëmshpërblim financiar për të cilën jam e bindur që i gjithë ky buxhet do të shkojë në shërbim të shumë gjërave të mira për të rinjtë dhe të rejat”, shtoi.

– “Zonja Kryemadhi sa është ky dëmshpërblim”, u pyet.

Kryemadhi u përgjigj: Për momentin kam kërkuar vlerën 400 mijë euro. E cila do të jetë një vlerë e cila më vonë mund të rritet me tutje duke pasur parasysh që kjo shumë mund të shtohet në qoftë se shoqëria mediatike do të vazhdojë të shpifë apo falsifikojë ndaj personit tim.