zoom

Bota

Panik në fluturim, “Boeing” i Madridit bën ulje të detyruar në Brazil, 30 pasagjerë të plagosur

Një fluturim që u godit nga turbulenca të forta, që shkaktuan lëndimin e 30 personave në bord, bëri ulje emergjente në Brazil.

“Boeing 787-9” i kompanisë “Air Europa” po fluturonte nga Madridi për në Montevideo, në kohën kur ndodhi incidenti në ajër, tha linja ajrore.

Fluturimi UX045 u devijua në aeroportin e Natalit në Brazilin verilindor, ndërsa destinacion kishte kryeqytetin uruguaian, tha kompania spanjolle në X. Ajo shtoi se pasagjerët që pësuan lëndime, “po merrnin vëmendje”.

Avioni, i cili kishte 325 pasagjerë në bord, u përplas me turbulencat mbi Atlantik, kur gati kishte arritur në bregun brazilian, tha një zëdhënës i Air Europas. Avioni, pastaj, u ul normalisht dhe u prit nga autoambulancat.

Zyrtarët e aeroportit thanë se disa pasagjerë kishin nevojë për ndihmë mjekësore dhe u dërguan në spitalin më të afërt. Incidenti ndodh disa javë pasi një fluturim i kompanisë Singapore Airlines u godit nga turbulenca të rënda mbi Mianmar, duke shkaktuar vdekjen e një pasagjeri dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Turbulencat e forta janë të rralla, por studimet e fundit kanë treguar se ndryshimi i klimës mund ta rrisë rrezikun./REL/