zoom

Lajme

Pakti për emigrantët/ Rama mbyll derën për shtetet e tjera: Me Italinë, dashuri të pakushtëzuar

Marrëveshja për emigrantët që Shqipëria bëri me Italinë, sipas kryeministrit Edi Rama, nuk mund të përsëritet me asnjë shtet tjetër.

Gjatë një prononcimi për “Euronews”, Rama shpjegoi se me Italinë fqinje pakti u arrit sepse raporti mes dy vendeve bazohet në dashuri të pakushtëzuar.

“Kjo është një marrëveshje ekskluzive me Italinë, sepse ne i duam të gjithë, por me Italinë kemi dashuri të pakushtëzuar”, tha Rama duke folur të enjten në Parlamentin Europian.

Paralajmërimi i tij i përsëritur vjen disa ditë pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se homologu i saj britanik Keir Starmer kishte shprehur “interesim të madh” për marrëveshjen.

Shqipëria po ofron një zgjidhje pragmatike, shpjegoi Rama, duke mohuar gjithashtu se marrëveshja ishte një shpërblim për përpjekjet e Italisë për të shtyrë vendin në rrugën e anëtarësimit në BE.

“Ne vendosëm ta bëjmë këtë (marrëveshjen e emigracionit) bazuar në ndjenjën e përgjegjësisë si fqinjë, si evropianë. Sigurisht që është më mirë sesa thjesht të luftosh ideologjikisht për këtë çështje dhe të mos bësh asgjë”, shpjegoi Edi Rama.