Aplikacion
Ai kishte një lokal ngjitur me një vilë që kishte ndërtuar Eduard Reçi në vitet ’90, të cilën mendonte ta prishte për të ndërtuar një pallat shumëkatësh.
Dukaj nuk ishte dakord dhe i kishte thënë biznesmenit që të mos ndërtonte, pasi pallati i tij do t’ia zhvlerësonte pronën dhe do t’i zinte pamjen. Por Reçi ia kishte bërë të qartë se me dakordësinë e tij ose jo, do ta zhvillonte pronën e tij.
Ky ishte momenti kur Shkëlqim Dukaj e kishte marrë vendimin. Kishte siguruar një pushkë sportive, silenciator dhe po e ruante 52 -vjeçarin. Për 5 ditë me radhë ai e kishte pritur atë nga shkallët e një hoteli.
Hotel Iliria ndodhet ngjitur me lokalin e tij. Ai e kishte zgjedhur këtë si vend posaçërisht për të humbur gjurmët. Dukaj ishte në dijeni se edhe pronarët e hotelit Iliria kishin pasur dikur konflikte me Eduard Reçin për çështje të pronës, njësoj si ai. Kishte menduar se duke e qëlluar nga aty, policia do t’i kishte dyshimet tek pronarët e hotelit.
Lokali i tij lidhej me një tunel me shkallët e hotelit. Policia zbuloi nëpërmjet kamerave të sigurisë se ai shfaqet në afërsi të hotelit 5 ditë me radhë para vrasjes dhe zhdukej në mënyrë të mistershme nga zona. Tuneli e kishte daljen nën banakun e lokalit të oficerit të policisë.
Për 5 ditë me radhë Shkëlqim Dukaj qëndroi në shkallët e hotelit nga ora 19:00 deri në orën 23:00 duke pritur për biznesmenin, deri në mbrëmjen e 14 nëntorit kur e qëlloi në prani të bashkëshortes së tij. Ajo u tha policëve se kishte menduar që bashkëshorti ra në tokë ngaqë mund ta kishte prekur ndonjë cifël fishekzjarresh që shpërthyen në atë moment.
Shkëlqim Dukaj e qëlloi Eduar Reçin me 1 plumb të vetëm në kokë. Mori armën dhe pasi zbriti nga shkallët e hotelit Iliria u fut në tunel dhe doli në lokalin e tij.
Duke parë kamerat e sigurisë, policia nuk po arrinte të kuptonte se si ky person i dyshimtë zhdukej në mënyrë të mistermshme sheshi pas hotelit. Vetëm nga kontrollet e vazhdueshme u zbulua hyrja e fshehtë që lidhte lokalin me shkallët e hotelit.
Policia, siç thanë burime të besueshme për Zoom.al, i kishte në listën e të dyshuarve pronarët e hotelit. Por pasi agjentët panë kamerat e sigurisë kuptuan se ata nuk kishin bërë asnjë lëvizje të dyshimtë. Kontrollet në terren që zbuluan tunelin e qartësuan pistën që çoi në zbulimin e të dyshuarit për vrasje.
Shkëlqim Dukaj mohon çdo gjë. Ai ka refuzuar të ketë qëlluar mbi biznesmenin dhe pse policia i ka vënë përballë prova që i konsideron si të mjaftueshme për të provuar fajësinë e tij. Pas deklaratës së parë të dhënë në polici, ka refuzuar të flasë.
Edhe vëllai i tij, Florjan Dukaj, ka mohuar implikimin apo dijeninë për krimin. Dy vëllezërit janë marrë në pyetje veç e veç.
Shkëlqim Dukaj është diplomuar në Turqi përpara se të niste punën në polici. Ai njihej si qitës i aftë. Kolegët e tij, thonë se ai ishte i qetë dhe jo problematik.
Policia gjeti në një magazinë të vëllezërve pjesë armësh dhe silenciatorë, të cilët mund të jenë përdorur edhe në armën që vrau biznesmenin. /Zoom.al