zoom

Aktualitet

“O vëlla njerëzit duan budallëqe”/ Realiteti i TikTok, treguar nga Kozaku

“O vëlla njerëzit duan budalliqe, nuk i intereson se çfarë thua ti për librat”, ishte deklarata e personazhit të njohur, Kozak, i ftuar në emsionin “Të paekspozuarit”, i cili pavetëdije përshkruajti fenomenin e frikshëm të TikTok.

Përballë gazetarëve dhe analistëve, Kozak tregon për punën e tij në TikTok, madje arrin deri aty ku thotë se videot e tij live janë njësoj si emisioni ku ishte ftuar.

Ndonëse Kozaku ishte “nën sulm” nga panelistët e emisionit, pa asnjë kompleks ai tregon se si fiton mijëra dollar duke bërë muhabet.

“Pse t’i japin paratë ata ty”, e pyet gazetari Neritan Sejamini për të kuptuar thelbin e këtij aktiviteti, ndërsa Kozaku i përgjigjet duke thënë se nuk e di. “Më gjuajnë për qef, kanë qef të më japin dhurata. Me i thënë vëllait më jep 1.000 euro, s’ti jep. Ai tjetri t’i gjuan pa problem”.

Kozaku përsëri pa vetëdije bëri një apel pro TikTok, duke thënë se nuk janë “të çmendur” (referuar temës së emisionit) të gjithë përdoruesit, mund të jenë vetëm 6 personazhe. “Kush nuk do nuk futet. Ne nuk i marrim me zor”, tha personazhi i njohur Kozak.

Ai shtoi se TikTok është një tjetër lloj Big Brother-i. Kozaku shpjegoi se njerëzit që bëjnë veprime të papërgjegjshme në TikTok (përmend rastin e Natashës, që shfrytëzonte nipin) nuk e konceptojnë dot se përtej celularit janë mijëra njerëz, nëna e fëmijë që i shohin dhe ndikohen.

Si për të konfirmuar aludimet e panelistëve, Kozaku shumë modestisht tregon se ka lexuar vetëm një libër në jetë dhe lidhet me origjinën e emrit të tij, nga fisët e kazakëve.

Sejamini analizoi se shqiptarët zgjedhin këtë formë argëtimi për të hequr mendjen, se përndryshe do të merren me ngjarje më serioze, si p.sh qeverisjen.

Për ish-fituesin e Big Brother Anaid Kaloti, TikTok-u po shfrytëzohet dhe nga zyrtarët e politikanët e jo vetëm nga ata që stereotipizohen si të padobishëm.

Më tej, në një dialog me drejtuesin e emisionit, Ylli Rakipi, Kozaku tregon se ka fituar deri në 60 mijë dollar në një muaj. Pas diskutimit, Kozaku tregon se jeta e tij nuk është TikTok, por ai ka një familje të cilës i kushton shumë kohë. /Zoom.al