zoom

Aktualitet

“Nuk i bëhet gjyq, gjyqtarit”, Erion Bani: Kush dyshon te integriteti ynë t’i drejtohet organeve kompetente

Kreu i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani nga tryeza e organizuar nga Qendra për Studim dhe Demokraci, zgjodhi të adresojë një mesazh te zërat që kanë kritikuar togat e zeza në GJKKO për integritetin e tyre.

Duke theksuar se “vetting-u që i është bërë gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme nuk i është bërë asnjë gjyqtari tjetër në Republikën e Shqipërisë”, Bani kërkoi nga kritikët që nëse kanë dyshime t’i adresojnë ato te organet kompetente.

“Lidhur me integritetin e gjyqtarëve siç tha edhe zoti Dumani si Gjykatat e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme dhe BKH si institucione kushtetuese janë institucionet më të monitoruara për shkak të ligjit dhe Kushtetutës. Jo vetëm gjyqtarët, por të gjithë familjarët dhe gjithë personat madhorë i nënshtrohen kontrollit periodik të pasurisë, monitorimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave, mund të përgjohen në kohë reale të gjitha komunikimet, të gjitha mesazhet. Përsa i përket integritetit duhet të theksojmë një fakt se parimet ndërkombëtare dhe jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, të gjitha aktet e Këshillit të Evropës kanë një parim shumë të rëndësishëm që prezumohet integriteti dhe besueshmëria e gjyqtarëve në momentin që janë emëruar. Dhe nuk duhet të provojnë gjyqtarët këtë, kjo gjë prezumohet, kush ka indicie në lidhje me integritetin duhet ti adresojë ato në organet kompetente”, tha Bani.

Më tej, kreu i GJKKO nënvizoi se “nuk mund t’i bëhet gjyqi, gjyqtarit”. “Gjyqin e gjyqtarit e bën vetëm një gjykatë më e lartë. Këto janë parimet dhe është mirë të kuptohet kjo”, tha Bani.

Në fund, gjyqtari Bani renditi edhe filtrat nëpër të cilat kanë kaluar gjyqtarët që janë pjesë e trupës së institucionit që ai drejton, si për të treguar se besimi tek ta nuk duhet të vihet në dyshim.

“Sa i përket kritereve që të bëhesh pjesë e gjykatës së posaçme, ndryshe nga gjithë qytetarët e tjerë ka një trajtim të veçantë nga organet e vettingut. Të trajtojnë me përparësi dhe ka një vetting më të thellë. Në momentin që kalon këtë filtër dhe kalon edhe një tjetër filtër në KLGJ. Tashmë është edhe një Komisioni i Posaçëm pranë SPAK që garanton pra një filtër ndryshe nga gjithë gjyqtarët e tjerë. Pra do kalosh edhe një filtër tjetër. Ky është institucioni më i monitoruar, integriteti këtu prezumohet. Kushdo që ka dyshime t’i adresojë në organet kompetente”, deklaroi më tej Erion Bani.

Postime të lidhura