zoom

Aktualitet

“Non grata” i Berishës dhe raporti i OSBE –së për 200 milionët e Ramës, kë të besojmë?

Ajo që zbuloi një gazetë lokale në Shqipëri se ku ishte bazuar Departamenti Amerikan i Shtetit për të shpallur “non grata” ish –kryeministrin Sali Berisha, ngre shumë pikëpyetje mbi këtë vendim.

“Korrupsioni i Berishës është raportuar gjerësisht në raportimet lokale, rajonale dhe ndërkombëtare të OJQ-ve dhe shtypit, si dhe në hetimet që lidhen me përpjekjet antikorrupsion të qeverisë shqiptare”, thuhet në reagimin e një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit për gazetën Sot.

Kjo deklaratë zbulon se DASH ka si prova shkrimet në media, raportet e disa organizatave jo-qeveritare dhe hetime të qeverisë.

Përsa u përket hetimeve antikorrupsion të qeverisë, deri tani nuk ka pasur asnjë akuzë ndaj Berishës, të cilat, nëse do të ekzistonin, do të ishin dërguar në gjykatë.

Por a janë prova shkrimet në media dhe raportet e OJQ-ve?

Në mjaft raste mediat, me investigimet e tyre janë bërë shkak për arrestime të zyrtarëve të lartë, pasi kanë paraqitur prova të pakundështueshme, të cilat më pas janë ligjëruar nga prokuroria.

Por në shumë raste të tjera, raportimet kanë shërbyer si indicie për hetime. Kur kanë rezultuar të pavërteta apo të pamundura për t’u faktuar nga prokuroria, çështjet penale janë pushuar.

Deri tani, nga raportimet e mediave për ish –kryeministrin Sali Berisha, organet hetimore nuk kanë provuar asnjë shkelje penale.

Megjithatë, DASH i ka vlerëruar këto raportime si të besueshme.

Por a ka përdorur DASH të njëjtin metër kur i është dashur të masë korrupsionin edhe të zyrtarëve të tjerë të lartë?

Në vitin 2016, në disa media shqiptare u publikua një raport konfidencial i OSBE. Në të kishte raportime për një pasuri marramendëse të kryeministrit Edi Rama.

Edi Rama, kryetar i PS, Kryetar i Bashkisë së Tiranës 2000- 2011 dhe tani Kryeministër. Është folur shumë në lidhje me dyshimet për përfitimin e një tarife për lejet e ndërtimit, me rreth 10-20 % të vlerës së ndërtesave. Shumë i kujdesshëm për të operuar nëpërmjet personave të tretë, ai ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në korrupsion apo krime. Pasuria e tij përflitet të jetë rreth 200 milionë euro, të investuara në kompani “offshore” përmes vëllait të tij, Olsit, në SHBA”, thuhej në raport.

Kryeministri Rama e ka injoruar vazhdimisht këtë raport si “thashethemnajë”, ndonëse OSBE nuk e përgënjeshtroi atë asnjëherë.

Shkurt, ai nuk u konsiderua i besueshëm pasi u referohej pikërisht raportimeve në media dhe burimeve të hapura.

 “Përmbledhja bazohej në informacionin e nxjerrë nga raportimet në mediat lokale në Shqipëri, si background për klimën politike dhe për akuzat që qarkullonin në publik në atë kohë. Ne nuk mund të komentojmë lidhur me vërtetësinë e raportimeve në media”, u tha në atë kohë nga OSBE.

OSBE është një organizatë ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë anëtarë. Një raport i tillë ka qarkulluar edhe në kanalet zyrtare të SHBA –ve, por në atë kohë nuk u mor asnjë masë ndaj politikanëve shqiptarë të përfolur për korrupsion në nivele të larta, pikërisht për faktin se raportimet nuk u konsideruan të besueshme.

Nisur nga këto fakte, shpallja “non grata” e ish –kryeministrit Berisha ka ngjallur shumë diskutime e po ashtu ka vënë në pikëpyetje edhe besueshmërinë e institucionit me peshën kryesore në diplomacinë ndërkombëtare, Departamentit Amerikan të Shtetit.  

Ish –kryeministri Berisha e ka sfiduar DASH të paraqesë prova dhe po ashtu ka paditur sekretarin Bliken për shpifje në një gjykatë në Paris, një çështje kjo që, nëse do të merret në shqyrtim, do ta detyrojë kryediplomatin amerikan të paraqesë provat dhe faktet, përndryshe do ta damkoste globalisht besueshmërinë e DASH. /Zoom.al