zoom

Politikë

“Non grata”, Ambasada e SHBA-së mesazh të koduar Sali Berishës

Ambasada Amerikane në Tiranë i jep sot një mesazh të koduar ish-kryeministrit Sali Berisha, lidhur me shpalljen e tij “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Teksa ish-kryeministri Berisha kërkoi në Kuvendin e PD-së së 11 dhjetorit që DASH të rishikojë vendimin për shpalljen e tij “non grata”, ambasada e SHBA-së nxjerr sot tabelën me numrin e të shpallurve “non grata”, duke u shprehur se për asnjërin prej tyre nuk është kthyer mbrapsht vendimi.

Teksa thekson se numri i personave të shpallur “non grata” nga Uashingtoni është mbi 200, ambasada amerikane shton se ka zero kërkesa faljeje për personat e shpallur “non grata” për korrupsion domethënës.

Kujtojmë se dje, duke iu përgjigjur zëdhënësit të DASH-it, Berisha tha se interpretimi i kritikave si sulme nuk është e drejtë, pasi sipas tij, është formë e pastër e bullizmit diplomatik.

Duke iu referuar deklaratave të Yuri Kim për “barin”, Berisha tha se ambasadorja kërcënoi anëtarët e PD-së me shprehjen e Enver Hoxhës, duke e konsideruar një ofendim kolektiv që meriton ndjesë publike.