zoom

Aktualitet

Gjetja e trupave të nënës e 3 fëmijëve, Mbrojtja Civile jep detaje. Malazezët gjetën trupin e Almës

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka reaguar pas gjetjes të katër trupave të mbytur në lumin Buna, të Alma Arrazit dhe tre fëmijëve të saj, ngjarje e ndodhur më 2 Maj në Shkodër.

Ndërkohë që mësohet se trupin e saj e kanë konstatuar të parët shërbimet malazeze, që njoftuan më tej homologët shqiptarë të Kufirit.

Në një postim në rrjetet sociale, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ka dhënë edhe detaje në lidhje me operacionin, ndërkohë që i ka shprehur ngushëllimet familjarëve për tragjedinë.

“Sot pas tre ditësh ka përfunduar operacioni i kërkimit të qytetarëve të mbytur në lumin Buna. Nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, u angazhuan 96 forca operacionale dhe 13 automjete nga strukturat vendore dhe qendrore, përfshirë Forcat e Armatosura, Forcat Renea, Njësia e Sigurisë Publike, DVP Shkodër dhe DRKM, si dhe banorë të Njësisë Administrative Dajç”, thuhet në reagim.

Drejtori i Qendrës Rajonale të Mbrojtjes për Veriun, Besnik Hysaj, ndoqi nga afër operacionin në terren, duke koordinuar strukturat referuar ligjit 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, bashkë me Ushtrinë, palombarët e RENEA-s dhe FNSH-të.

“Në këtë moment të dhimbshëm, i shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes dhe të afërmve”, përfundon reagimi.

Gjykata e Shkodrës dha sot edhe masën arrest me burg për Erdgys Arrazin, bashkëshortin e të ndjerës dhe babanë e fëmijëve, pasi dyshohet për dhunë në familje. /ZOOM.AL/