zoom

Ide & Blog

Një “SPAK YOU” edhe nga RAI 3!

Nga Gent Strazimiri

Investigimi i detajuar i RAI 3 për lidhjet e mafias me qeverinë, me emra e mbiemra, në Shqipëri hodhi në erë jo thjesht Edi Ramën por njëkohësisht edhe të gjithë individët dhe strukturat politike e diplomatike ndërkombëtare që i mbajnë anën publikisht.

RAI 3 dje dëshmoi se kush po e minon demokracinë shqiptare, përmes korrupsionit dhe lidhjeve me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Reportazhi, nga pikëpamja e detjave që publikoi, nuk përmbante asgjë të re, asgjë që shqiptarët nuk e dinin.

Ajo që është tronditëse është ajo ç’ka nuk e tha.

Faktin që ato ç’ka gazetari i zbuloi në pak javë, nuk mund të mos t’i dinë edhe më në detaje strukturat diplomatike të akredituara në Tiranë, me gjithë rrjetin informativ që disponojnë prej vitesh në Shqipëri.

Faktin që personat e akuzuar me fakte e prova si mafiozë, në këtë investigim gazetaresk, janë “kavalierë” të urdhrave më të rëndësishëm të SHBA, Italisë, Francës, Greqisë etj., madje, dekoruar në të njëjtën ceremoni me personat që paguhen për t’i arrestuar e vendosur përpara drejtësisë…

Faktin që magjistratët që kanë guxuar të luftojnë krimin e lidhur me politikën janë të gjithë, pa përjashtim jashtë sistemit, e që janë zëvendësuar me gjyqtarë e prokurorë që i kanë shërbyer politikës për të fshehur provat inkriminuese.

Faktin që, nëse “non grata” për “minim të demokracisë dhe lidhje me krimin e organizuar” vendoset edhe pa prova dhe fakte por thjesht “bazuar mbi raportimet e mediave” pa emër dhe shoqërisë civile (edhe më pa emër), “afërmendsh” që kur emrat, faktet dhe provat ekzistojnë dhe janë publike “non grata” duhet të jetë e menjëherëshme!

Ja ku i keni me fakte dhe prova denoncimet e 2 mediave shtetërore italiane (ANSA dhe RAI 3) dhe dy heronjve të anti-mafias me emër mbiemër (MANDOI dhe GRATTERI), me zë dhe figurë!

Për më tepër nuk bëhet fjalë për media “të ekstremit të djathtë”, “ksenofobe”, “homofobe”, “populiste” dmth nga ato që janë “të krahut të Saliut”…

JO! Janë struktura shtetërore të informimit, të një shteti të Bashkimit Evropian të cilat, për më tepër ekzistojnë zyrtarisht për t’i dhënë zë pikërisht ekstremit të majtë të politikës italiane.

Dje RAI 3 u tha shkurt, qartë, pastër dhe bukur të gjithë “ekselencave” me imunitet diplomatik, veçanërisht qeflinjve të fundjavave të “Bllokut”:

“SPAK YOU”