zoom

Ekonomi

Një incenerator i dytë për paratë e shqiptarëve, miliona euro për të ushqyer “Tigrat” e KESH-it

Edhe pse çmimet e energjisë në tregun europian janë normalizuar, (100euro/MWh) Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH do të nisë punën me termocentralet lundrues, që ndodhen në Triport të Vlorës.

Anijet prodhuese u morën në vitin 2022 kur lufta në Ukrainë nxiti një krizë botërore të energjisë dhe një megavatorë kushtonte deri në 500 euro, por nuk u futën kurrë në punë.

Tashmë, që Shqipëria po përjeton një moment të mirë energjetik nga HEC-et dhe fotovoltaiket, KESH ka hapur një tender për të blerë 4.000 ton karburant për dy anijet “Tigri 1” dhe “Tigri 2”, për t’i testuar ato dhe më pas për t’i vënë ato në punë.

Kompanitë e interesuar duhet të parqesin ofertat e tyre deri në datën 9 shkurt, në një adresë e-mail të vën në dispozicion nga Korporata. Më herët, ky dikaster shpalli edhe kompaninë fituese që do të depozitojë dhe ngarkojë – shkarkojë lëndën djegëse për funksionimin e 2 termocentraleve lundrues në Vlorë.

Me një ofertë prej 7.2 mln euro fituese u shpall “La Petrolifera Italo – Albanese”, që është gjithashtu mbajtëse e koncesionit të terminalit të përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj, i pozicionuar në afërsi të 2 impianteve të gjenerimit të energjisë.

Këto anije që prodhojnë energji llogaritet se i kushtojnë buxhetit të shtetit 63 mijë euro në ditë vetëm për qiranë dhe për dy vite që parashikohet të jenë funksionale, 72 mln euro.