zoom

Aktualitet

FOTO/ Tensione te protesta e Bashkisë, digjen goma e lëndohet efektivi. Liçaj: Cjapi i Surrelit…!

Ka nisur me tensione të larta dhe konfrontime protesta e 11-të e opozitës dhe Aleancës Qytetare para Bashkisë së Tiranës, pas skandalit korruptiv me dosjen “5D” të drejtorëve të arrestuar dhe akuzuar të institucionit.

Një efektiv policie është lënduar si pasojë e tensioneve në protestë. Efektivi është lënduar pasi protestuesit e kanë goditur me shishe në sy.

Ai është ndihmuar nga kolegët, duke u larguar nga gardhi i vendosur mes protestuesve dhe godinës.

Më tej protestuesit i vunë zjarrin gomave para godinës. Protestuesit kanë shkulur edhe gardhin metalik, ndërsa kanë hehdur sende të forta drejt policisë. Efektivët janë përgjigjur me spraj lotësjellës.

Gjithashtu një incident është regjistruar sot në protestën e opozitës, ku një grua është ngjitur në podium për të marrë fjalën.

Por duke qenë se zonja nuk ka qenë pjesë e listës së folësve në protestë, ajo është penguar nga organizatorët, ndërsa për disa çaste ka qëndruar afër mikrofonit të podiumit. Pasi në podium është ngjitur aktivistja Adriana Kalaja, zonjës i është bërë thirrje që të largohet nga vendi ku flasin protestuesit.

Kurse aktori i njohur Neritan Liçaj, në fjalën e tij nga protesta e thirrur nga Alenca për Mbrojtjejn e Teatrit para Bashkisë Tiranë në lidhje me dosjen “5D”, u shpreh se kjo mazhorancë po hedh në erë tempujt e njeriut, që janë galeritë, teatrot, muzetë, bibliotekat etj.

“Çfarë bëri Cjapi i Surrelit?! Cjapi i Surrelit do të marrë tokën e dhuruar nga rilindasit e vërtetë për të pasuruar veten e vet! Domethënë, në qoftë se rilindasit e vërtetë shqiptarë u përpoqën dhe shkrinë pasuritë e tyre familjare për të bërë këtë komb, të vjen Cjapi i Surrelit me këtë “qitësin” e vogël dhe vjedh pasuritë tona kombëtare për të pasuruar firmën Fusha. Dhe mua më habit dhe ky biznesmeni Fusha: A ka një çikë moral ky njeri, mor burrë? A është ndonjëçikë tirans?! A është një çik shqiptar?! Se është turp ta marrë atë për të bërë biznes. Ka një limit! Ka një kufi çdo gjë.
E dyta që doja të thosha, paraardhësit e këtyre, Beqir Ballukërat e ku di gjë unë e gjithë çfarë janë, ish-ministri juaj, Çuçi i Sigurimit… se ne të gjithë çunat e Tiranës u futëm kush në arte, kush në arkeologji, arkitekturë, ky Çuçi – në Sigurimin e Shtetit! Nejse, ç’rëndësi ka, punë e tij…

Këta shembën tempujt e zotave! Hodhën kishat, xhamitë, teqetë, në erë! Duke na mallkuar si komb, ata. Tani, këta “kingat”, pasardhësit e tyre, po hedhin në erë tempujt e njeriut, që janë galeritë, teatrot, muzetë, bibliotekat etj, etj. tani, bëjeni llogarinë vetë se sa të korruptuar janë këta njerëz së brendshmi, se në para janë miliarderë!”, u shpreh aktori ndër të tjera. /ZOOM.AL/