zoom

Aktualitet

Tensione në protestën e nëntë te Bashkia, molotov e flakadanë ndaj godinës: Të dorëhiqet Veliaj…!

Nis me hedhje molotovi dhe tymuese protesta e nëntë radhazi te Bashkia e Tiranës, ku tensionet janë të larta.

Protestuesit kanë hedhur lëndë djegëse artizanale dhe flakadanë para këtij institucioni, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erjon Veliaj, për skandalin korruptiv të drejtorëve në dosjen “5D”.

Sakaq, policia iu ka bërë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe mos të gjuajnë drejt bashkisë. Ashtu siç ka ndodhur dhe në protestat e mëparshme para Bashkisë së Tiranës, edhe këtë herë, protestuesit kanë marrë masat duke u pajisur me ‘arsenalin’ e tyre, vezë dhe fruta.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti, në fjalën e tij para protestuesve në tubimin para Bashkisë Tiranë në lidhje me dosjen “5D”, u shpreh se kryeministri duhet të detyrojë kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj të dalë pasnesër para Këshillit Bashkiak për të dhënë llogari.

Ai shtoi se vetëm atëherë kreu i qeverisë mund të flasë për luftën ndaj korrupsionit, referuar fjalës së Ramës ditën e dijshëm në Kuvend ku u diskutua mbi një rezolutë për luftën kundër korrupsionit.

“Falenderim për qendresën tuaj të nëntë sot. Rama dje fliste për korrupsionin se si donte ai ta luftonte atë, e ka një provë të parë për ta dhënë pasnesër, ku është thirrur mbledhja e këshillit bashkiak. A do ketë fuqi të sjellë Veliajn para këshilltararëve të japë llogari? Ku kanë shkuar 30 mln eurot e drejtorëve të tij? A do Rama të luftojë korrupsionin? Veliaj refuzon të bëjë transparencë. A ka fuqi ta detyrojë të vijë në Këshill e të japë shpjegon pse 6 mln iu morën shkollave e çerdheve dhe u çuan te inceneratori inekzistent?

Nëse e sjell pasnesër atëherë mund të flasë se si luftohet korrupsioni. Por ata janë një grup i strukturuar që po tradhtojnë Shqipërinë e vjedhin pronën publike. Kështu siç jemi edhe sot, të vijojmë qendresën”, tha Teliti ndër të tjera.

Ish-kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi me tone të forta nga protesta e opozitës i ka bërë thirrje SPAK-ut që të arrestojë Erion Veliajn. Ai tha se brenda godinës së Bashkisë së Tiranës fshihen hajdutët që kanë vjedhur taksat e qytetarëve.

“Jemi sot në protestën e 9 kundër një hajduti të padëgjuar në vendin tonë që quhet Erion Veliaj. Njeriu që ka korruptuar jo vetëm drejtësinë, por edhe median në këtë vend që po ta shihni, në të gjitha mediat, kanë emisione për çdo temë, por vetëm për djegësit e qytetarëve dhe të Shqipërisë jo. Kjo është skenë krimi i një kryetari bashkie që çdo ditë shkon në zyrën e tij vetëm për të vjedhur. Ju kishim dhënë fjalën se pas vjedhjes së paprecedentë të 14 majit, do të bënim transparencë për masakrën elektorale. Vetëm në këto muajt e fundit kemi arritur që të shpalosim një skemë vjedhjeje.

U paguan 132 mln euro për një incenerator që nuk ekziston. Kjo është vjedhje e paprecedentë. Policë bashkiakë a e dini se drejtori juaj është një hajdut? Në këtë godinë strehohen hajdutë. Rreshtohuni kah qytetarëve, ne këtë betejë po e bëjmë për familjet tuaja. Kjo është betejë që nuk njeh ngjyrim partiak. Zoti Dumani ngrihu në lartësinë e detyrës tënde. Lërini fjalën dhe bëni veprat. Merrni masa dhe arrestoni hajdutin. Ai qëndron në zyrë për të prishur provat”, tha Këlliçi.

Shefi i Organizimit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në fjalën para qytetarëve në protestën para Bashkisë Tiranë, i ka bërë thirrje forcave të rendit që të arrestojnë ata që i vjedhin. Ai u shpreh se çdo pushtetar që mendon se impresionon me presione, gabon.

“Sot më shumë se çdo ditë është koha për t’u treguar pushtetit të kalbur se nuk biem pre e lojërave të korrupsionit. Jemi këtu për të larguar hajdutët në qeveri e bashki. Thirrje policisë: Nxirrni hajdutët nga bashkia. Arrestoni Veliajn dhe hajdutët pas tij. Ju vjedh rrogat dhe paratë. Arrestoni kriminelët e banditët që janë sot të lirë. Çdo pushtetar nëse mendoni se na impresiononi me presione, gabon. Sot jemi këtu dhe do të jemi për t’ju përgjigjur qytetit dhe interesave kombëtare”, tha Balliu.

Kurse anëtari i Kryesisë së Rithemelimit, Grigels Muçollari ka mbajtur fjalimin e tij përpara protestuesve të cilët janë mbeldhur përpara bashkisë.

Në fjalën e tij Muçollari shprehet se Erjon Veliaj përveçse është nën hetim nga drejtësia, është nën akuzë edhe nga sytë e qytetarëve, pasi sipas tij Veliaj së bashku me miqtë e tij kanë vjedhur paratë nga xhepat e shqiptarëve. Muçollari u bën thirrje shqiptarëve të bashkohen në këtë protest dhe të reagojnë në lidhje me padrejtësitë që po u bëhen. /ZOOM.AL/