zoom

Politikë

Nga lëvizja e lirë në kufi tek termocentrali i Vlorës, 19 marrëveshjet që u nënshkruan në Prishtinë

Në mbledhjen e tetë të përbashkët të dy qeverive u firmos një numër rekord marrëveshjesh, protokollesh e memorandumesh bashkëpunimi.

Mes tyre ishte ajo për heqjen e kontrolleve kufitare nga data 1 qershor deri më 30 shtator, si edhe për festa dhe fundjavë, ajo për një pikë doganore të përbashkët, për bashkëfinancimin e studimit të fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Shkëmbimi dhe punësimi i mjekëve dhe profesionistëve të shëndetit në funksion të trajtimit të rasteve specifike në dy anët e kufirit është në fokus të marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës, të nënshkruar nga ministrja Ogerta Manastirliu dhe ministri Rifat Latifi në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Është nënshkruar gjithashtu edhe marrëveshja për ndërtimin e përbashkët të rrugëve në fshatrat që ndodhen në dy anët e kufirit. Në marrëveshje parashikohet që e njëjta kompani të ndërtojë rrugët në të dyja kahet.

U nënshkrua marrëveshja për ngritjen e grupit të punës për hartimin e planit të bashkimit doganor. Puna e këtij grupi do të paraqitet përmes një studimi në muajin nëntor.

Marrëveshja tjetër e nënshkruar ishte ajo për shkëmbimin e të dhënave për realizimin e të drejtës për pension, kërkesat për kontrolle mjekësore së një qytetari. Pra do të zbatohet marrëveshja që tregjet e dy vendeve të bashkohen dhe të ketë edhe lëvizje të lirë të fuqisë punëtore.

Dy Ministritë e Energjisë kanë nënshkruar dy marrëveshje në sektorin e energjisë. Njëra ka të bëjë me shkëmbimin e energjisë, ndërsa marrëveshja tjetër ka të bëjë me mundësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes së Kosovës në TEC-in e Vlorës.

Ministritë e Brendshme respektive nënshkruan marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale për gjendjen civile. Pra në rast se një shtetas kosovar i cili do të martohet në Shqipëri, gjendja civile në Kosovë do të njoftohet në kohë reale për këtë ndryshim statusi dhe e anasjellta. Mes këtyre dy ministrive u nënshkrua edhe protokolli për lehtësimin e kalimit kufitar, ku do të hiqen ndalesat gjatë muajve të verës dhe në fundjava dhe ditët e festave.

Mes ministrive të Arsimit u nënshkrua marrëveshja pranimin e studenteve në universitetet e dy vendeve. Kjo marrëveshje heq të gjitha kufizimet që janë në fuqi aktualisht.

Marrëveshjet, protokollet dhe memorandumet ndërqeveritare të firmosura në mbledhjen e përbashkët:

1-Marrëveshje bashkëpunimi për pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
2-Protokoll për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë/Kukës
3-Protokoll për regjimin e trafikut lokal të kufirit në zonat kufitare ndërmjet kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
4-Memorandum bashkëpunimi për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për bashkim doganor
5-Marrëveshje administrative për zbatimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore
6-Memorandum mirëkuptimi për sektorin e energjisë
7-Memorandum bashkëpunimi për bashkëpunim mbi zhvillimin e terminalit të Vlorës.
8-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e zbatimit të programeve të mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural
9-Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e gjendjes civile.
10-Marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim përvojash në proceset teknike
11- Marrëveshje bashkëpunimi për vlerësimin e gjendjes dhe përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Shqipëri-Kosovë.
12-Marrëveshje bashkëfinancimi për studimin e fizibilitetit dhe projekt – idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.
13- Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë për shërbimin e ndërsjelltë ndërkufitar
14-Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën farmaceutike dhe të pajisjeve mjekësore
15-Marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e një platforme të përbashkët digjitale të informacionit dhe promovimit turistik.
16-Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e rinisë.
17-Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e kërkim shpëtimit malor dhe ujëra territoriale.
18-Deklaratë e përbashkët e Ministrave të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
19-Marrëveshje bashkëpunimi për bashkëfinancimin e projektit madhor në albanologji enciklopedia shqiptare.