Aplikacion
Ai i akuzoi ato për gjobëvënie ndaj disa bizneseve dhe ndaj bashkisë.
Sulmi erdhi për shkak se si JOQ, ashtu edhe Lolita ishin ndër faqet e vetme oline që po denonconin skandalet e bashkisë së Tiranës; hedhjen e asfaltit elektoral për të manipuluar qytetarët në fushatë, kushtet skandaloze të linjave urbane, punësimet nepotike në bashki, shtimin e pajustifikuar të pasurisë nga drejtorët e Veliajt etj.
Koha e zgjedhur për t’i goditur nuk ishte rastësore. Veliaj u përpoq t’i denigronte në nisje të fushatës elektorale, me qëllim që t’i bënte të pabesueshme.
Por sulmi prodhoi efekt të kundërt. Denoncimet dhe shpotitjet e tyre vetëm sa u shtuan, bashkë me ndjëkësit. Qindra qytetarë iu përgjigjën thirrjeve për të fotografuar e filmuar të gjitha punët-fasadë të bashkisë për fushatën elektorale. Shumë të tjerë, siç rezulton nga postimet, ironizuan me “meme” aspekte të ndryshme të fushatës së Veliajt.
Erion Veliaj i denoncoi me emra personat që besohet se po qëndrojnë pas këtyre faqeve, ndërsa disa media të kontrolluara prej tij nxituan të postojnë foto të tyre. Janë dy të rinj të panjohur, që sipas kryetarit të Bashkisë po e përdorin influencën e tyre për t’u marrë para bizneseve e pushtetarëve, në këmbim të heshtjes.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Gazetarëve Europianë, një nga shoqatat më të mëdha të gazetarëve në Europë, Ricardo Gutierres, reagoi me indinjatë ndaj Veliajt.
“Jam i indinjuar nga sjellja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në zbulimin e identitetit të administratorëve të faqeve satirike shqiptare në Facebook, Lolita dhe JOQ. Këto faqe, ndonëse jo rreptësisht gazetareske, përpiqet t’i bëjë përgjegjës ata që janë në pushtet me anë të humorit (ju pëlqen apo jo). Veliaj publikoi emrat dhe informacione shumë private familjare të këtyre personave, duke pretenduar se i kishte “identifikuar” duke i vënë në rrezik të drejtpërdrejtë fizik. Vetëm pak orë më parë ai i përmendi sërish dhe tha se policia po shkonte, duke lënë të kuptohet se mund të arrestoheshin.”
JOQ e akuzoi Veliajn se po përdor edhe një organizatë mediatike në Shqipëri për ta mbyllur atë përpara zgjedhjeve të 14 majit, pasi kjo organizatë ishte kontraktuar nga Facebook për të bërë “fact checking -verifikimin e fakteve” të informacioneve që publikojnë portalet shqiptare në platformën Meta.
Teksa JOQ e Lolita po përballen me presionin e pushtetit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, një tjetër faqe e bërë e njohur për humorin dhe satirën me pushtetarët, zgjodhi të bëhet kritike me rivalët e Erion Veliajt.
Brryli Brodway, që deri pak kohë para nisjes së fushatës ishte kritik me qeverinë, po mbështet Erion Veliajn duke sulmuar kundështarin e tij kryesor, Belind Këlliçin.
Disa ndjekës po e akuzojnë në komente se është paguar me shuma të mëdha nga Veliaj për t’u vënë në shërbim të tij për zgjedhjet e 14 majit. Disa të tjerë thonë se po përdoret për shkak se personat që qëndrojnë pas kësaj faqje kanë marrë një tender të majmë nga qeveria.
Mes paqartësisë se kush qëndron pas këtyre faqeve, financimeve dhe lidhjeve të tyre me politikën, pjesa e dukshme është ndikimi që ato kanë gjithnjë e më shumë tek qytetarët, çka po e shton oreksin e pushtetit për t’i vënë nën kontroll ose për t’u mbyllur gojën përmes mekanizmave të ndryshëm./ Zoom.al