zoom

In Zoom

Nga fushata për PS-në te akuza për vjedhje/ Jeta dinamike e Elsa Lilës, arrestuar në Itali

Mëngjesin e kësaj të mërkure, policia e Romës dhe Viterbos do të ekzekutonte vendimin e prokurorisë për 13 urdhërarreste lidhur me një grup të strukturuar kriminal, në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në mesin e të prangosurve do të rezultonte edhe një emër VIP: Elsa Lila.

Nisur nga çfarë raportojnë mediat italiane, aktiviteti koordinohej nga një lokal lojërash fati, të cilin e zotëronte banda në fjalë dhe që menaxhohej nga artistja shqiptare.

Një figurë dinamike dhe popullore për publikun, Elsa Lila do të përpinte jo pak herë vëmendjen mediatike. Një zë me emër në muzikën e lehtë vendase, e përfolur për çmimet e marra, jetën personale, përfshirjen në fushatë politike, si dhe akuzat ndaj saj.

Pak jetëshkrim…

Elsa Lila lindi në Tiranë. Babai i saj ishte këngëtar i ish-korit të shtetit shqiptar, ndërsa e ëma, violiniste.

Në vitin 1996, në moshën 15-vjeçare, Elsa fitoi konkursin kombëtar të këngëve shqiptare dhe çmimin e publikut nëpërmjet televotimit.

Në vitin 1999, në moshën 18-vjeçare, Lila u zgjodh “këngëtarja shqiptare e shekullit”, nga sondazhi kombëtar i radios së shtetit shqiptar. Në të njëjtin vit, Elsa fitoi konkursin e parë te “Kënga Magjike”.

Performanca në festivalin e parë të “Kënga Magjike”

Performanca në festivalin e parë të “Kënga Magjike”

Në vitin 2001, ajo u nderua me “Ambasadorin e Muzikës Shqiptare në Botë” nga Rexhep Mejdani, asokohe President i Republikës së Shqipërisë. Po kështu, në vitin 2003 debutoi në festivalin e Sanremos, për të vijuar edhe me çmime të tjera ndër vite.

Lila do të modelonte për revista të ndryshme në New York City, ku dhe performoi madje në sallën e famshme të Avery Fisher, për Sekretarin Amerikan të Shtetit.

Përfshirja në politikë

Nëntë vite më parë, Elsa Lila do të shprehte hapur mbështetjen e saj ndaj “Rilindjen”, ku do të trumpetohej lajmi i ardhjes së këngëtares nga Italia në Tiranë për të votuar.

“Me Elsën, yllin e pashuajtshëm që sot erdhi për të votuar Rilindjen”, shkroi atëherë Rama.

Pas një shkëputjeje nga jeta artistike shqiptare, artistja do të rikthehej vite më vonë për të dhënë një performancë të ndjerë, krahas Pirro Çakos.

Jeta personale

Eva Vishaj (Lila), nëna e këngëtares së famshme shqiptare, u gjet e vrarë rreth orës 19.00 të mbrëmjes së 23 majit 1997 në aksin rrugor Tiranë – Elbasan, pikërisht në afërsi të fshatit Gracen.

Vrasja e nënës së këngëtares së njohur shqiptare Elsa Lila është një nga ngjarjet e bujshme të asaj periudhe të mbrapshtë.

Në vitin 2011, Lila do të bëhej nënë e një vajze të quajtur Evita, në nder të mamasë së saj.

Akuza ndaj këngëtares

Në vitin 2018, kompozitori Genti Lako akuzoi Lilën se kishte vjedhur këngën “Buzët më ishin tharë”, produksion i Lakos, i kënduar në formën origjinale nga Eranda Libohova.

E njëjta këngë u soll në një version të ri nga ajo dhe artisti italian Piero Fabrizi.

Por ky ripërpunin mesa dukej nuk ishte kryer me lejen e Lakos, i cili e shprehu irritimin e tij për këtë fakt në një status në rrjetet sociale.

“Miqtë e mi, mbas “Zonja dhe zotërinj” që më vodhën në Serbi pa të drejta, ma vodhën dhe këtë këngë. Nuk i kam dhënë leje ta këndojë. Turp që e merr pa leje. As me vdek s’po na lejnë rehat!”, ka shkruar kompozitori i famshëm.
/ Zoom.al

Postime të lidhura