Aplikacion
Detaje të reja janë zbardhur nga përplasja e armatosur në Bushat mes grupeve kriminale, ku u përdorën automjete të blinduara dhe armë zjarri. Sipas dosjes hetimore të SPAK, autoritetet kanë rënë në gjurmët e të përfshirëve përmes fotove dhe videove të publikuara në rrjetin social “TikTok”, si edhe nga materialet e sekuestruara në telefonat e të dyshuarve.
Hetimet tregojnë se konflikti lidhet me mosmarrëveshje për çështje të trafikut të drogës, ndërsa në dosje përmenden emra të njohur të botës së krimit në Shkodër. Nga shkëmbimi i zjarrit janë dëmtuar disa mjete të blinduara, ndërsa SPAK ka dokumentuar lëvizjet dhe armatimin e grupit kriminal përmes provave filmike dhe ekspertimeve teknike.
Pjesë nga dosja e SPAK:
Referuar të dhënave të siguruara nga rrjeti “TikTok”, të pandehurit janë konstatuar në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe të shtetasit Safet Bajri e persona të tjerë. Edhe nga akti i ekspertimit të telefonit të sekuestruar në datën 12.12.2024, në ambientin tip bar, i ndodhur në zonën e quajtur “Tregu i Lirë”, në Dobraç, por që i përket shtetasit Sabjan Troshani, vëlla i të pandehurit Samuel Troshani, është siguruar e njëjta video. Ky ambient, nga hetimet e kryera, frekuentohet ndër të tjera edhe nga shtetasi Safet Rustemi dhe lidhjet e tij të afërta shoqërore.
Nga këqyrja e telefonit të sekuestruar që i përket të pandehurit Izmir Sakica janë konstatuar foto dhe video të shumta armësh të llojeve dhe kalibrit të ndryshëm. Në fotot dhe videot e mëposhtme shfaqet i pandehuri Izmir Sakicaj, në disa raste i shoqëruar me persona të tjerë, teksa qëllon me armë.
Në videon me datë krijimi 28.07.2024, e cila është regjistruar në ambientin tip bar që ndodhet në Dobraç dhe që frekuentohet nga Izmir Sakicaj, Samuel Troshani, Safet Rustemi etj., shfaqen disa persona dhe evidentohet me interes fakti se në mur janë varur disa armë të gjata. Në videon e datës 21.11.2024 shfaqen dy shtetas, një mashkull, i cili është i pandehuri Samuel Troshani, dhe një femër e paidentifikuar.
Dy shtetasit shfaqen në video teksa gjuajnë me armë zjarri të tipit pistoletë. Gjithashtu janë konstatuar shuma të konsiderueshme parash me origjinë të paligjshme.
Duke qenë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në veprimtari kriminale që konsiston kryesisht në kryerjen e veprave të dhunshme kundër shëndetit apo jetës së personave, nën përdorimin e armëve të zjarrit, të pandehurit në datën 23.08.2024 rreth orës 17:00 janë nisur së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar deri tani, me tre mjete të blinduara, nga zona e Dobraçit në drejtim të fshatit Rranxa, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës, zonë ku kishte banesën i pandehuri Aleksandër Prendi, bazuar në deklarimet e dhëna nga i pandehuri në datën 24.08.2024. Të pandehurit kanë qenë të armatosur dhe kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e të pandehurit Aleksandër Gezim Prendi. Motivi besohet të jetë i lidhur me mosmarrëveshje të krijuara për shkak të lëndëve narkotike. Në kohën që ata kanë kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga i pandehuri Aleksandër Gezim Prendi, i cili gjithashtu provohet të ketë qenë i armatosur, por të ketë kuptuar arsyen pse të pandehurit janë gjendur aty.

Ndërmjet tyre ka pasur shkëmbim zjarri, ku nuk ka të dhëna për dëmtime të shëndetit të personave të përfshirë në këtë ngjarje apo personave të tjerë, por vetëm dëmtime të mjeteve me të cilat këta të pandehur kanë qenë duke lëvizur.
Pavarësisht se nuk është bërë e mundur identifikimi i të gjithë personave pjesë e grupit kriminal që ka marrë pjesë në vendin e ngjarjes, provohet që i pandehuri Aleksandër Prendi të ketë qëlluar të paktën në drejtim të dy ose më shumë personave, me qëllim vrasjen e tyre, vrasje e cila ka mbetur në tentativë për shkaqe të pavarura prej të pandehurit, duke konsumuar kështu veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë.
Vendi ku ka ndodhur ngjarja, fshati Rranxa në Njësinë Administrative Bushat, njihet si zonë e të pandehurit Aleksandër Prendi dhe familjarëve të tij, Andrea Prendi dhe Pjetër Dragoti (Prendi) (vëllezërit), dhe ndodhet rreth 21 km larg Dobraçit, që njihet si zonë e të pandehurve Izmir Edmond Sakicaj, Samuel Zamir Troshani dhe Franko Gjergji Leka.


Kështu, si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri, është dëmtuar një makinë e blinduar tip Audi A8, ngjyrë blu e errët, me targa gjermane SWAG276, e cila është gjetur në vendngjarje në gjendje të fikur, e cila rezulton të ketë qenë në përdorim të paktën nga i pandehuri Izmir Sakicaj, referuar gjobave të marra për këtë mjet. Nga këqyrja e mjetit ka dëmtime të shumta të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Gjithashtu, nga gjuajtjet me armë zjarri është dëmtuar edhe makina e blinduar tip Audi A8, ngjyrë e zezë, me targë AA021RU, automjet i cili është në pronësi të të pandehurit Franko Leka. Ky mjet është larguar prej këtij të fundit nga vendi i ngjarjes drejt një servisi në pronësi të shtetasit Tonin Ejlli, ku është edhe sekuestruar si provë materiale. Nga këqyrja e tij ka dëmtime të shkaktuara nga gjuajtja me armë zjarri.
Në vendngjarje, nga hetimet rezulton se ka qenë edhe një mjet i blinduar tip Mercedes Benz S600 me targa AB857LV, i cili ishte konstatuar duke u larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me makinën Audi A8 me targa AA021RU, dhe është ndaluar nga shërbimet e policisë në datën 03.09.2024, nën drejtimin e shtetasit Safet Bajri.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes është gjetur e dëmtuar edhe makina tip BMW me targë AB216LL, e cila sipas të dhënave të përftuara nga hetimet rezulton të ketë qenë në përdorim, e marrë me qira nga i pandehuri Aleksandër Prendi, i cili sipas logimeve të numrit të telefonit në përdorim të tij, por edhe nga të dhënat e rezultuara nga akti i ekspertimit të telefonit të shtetasit Arsen Ceni, ka qenë personi i cili ka qëlluar./syri.tv
“ChatGPT më çoi në prag të vdekjes”, 55-vjeçari padit OpenAI për këshillat mjekësore