zoom

Politikë

Nga Financat tek Shëndetësia – Ndryshimet që priten në qeverinë Rama më 4 shtator

Fillim shtatori pritet të nisë i zjarrtë dhe i rrufeshëm për politikën shqiptare. Kjo në të dyja kampet e politikës, por mbi të gjitha flakët e këtij zjarri do të “përvëlojnë” ministrat socialistë.

Në prag të 10 viteve si kryeministër, fiks më 10 shtator ku Rama mbush “mbretërimin” e tij në krye të vendit, lideri i socialistëve do të ndërmarrë sërish ndryshime në qeverinë e tij, pas fitimit të tre palë zgjedhjeve parlamentare radhazi.

Më katër shtator Rama do të mbledhë Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Vetë lideri i mazhorancës ka paralajmëruar ndryshime në qeverinë e tij, e cila ka pësuar jo pak goditje, nga hetimet e fundit e SPAK, e ku “koka e prerë” është ajo ish-numrit dy të qeverisë, Arben Ahmetaj.

Shumë zëra qarkullojnë për largime masive ministrash të qeverisë. Madje nuk mungojnë dhe zërat për riformatimin e kabinetit qeveritar, për ndarje të superministrive, duke rikthyer në ato që ishin para 10 viteve.

Veç Taulant Ballës, i rizgjedhur së fundmi si ministër i Brendshëm, asnjë prej anëtarëve të kabinetit duket se nuk e ka vendin e sigurt. Zëra ka për largime të sigurta të Delina Ibrahimajt, Olta Xhaçkës, Ogerta Manastirliu, Edona Bilali, Ulsi Manjës apo dhe ministrave të tjerë që janë prej vitesh në atë detyrë.  Gjithsesi kjo mbetet për t’u mësuar në Asamblenë e PS-së nga vetë goja e Ramës, i cili i shpall këto lëvizje në minutat e fundit, si nonimimet e “Big Brother”.

Vetë Partia Socialiste pritet t’i nënshtrohet njëherësh reformimit të saj. Rama edhe pse i fitoi bindshëm zgjedhjet lokale të 14 majit ka shkrirë sekretariatin, duke lënë vetëm Blendi Klosin si sekretar të Përgjithshëm.  Precedentët kanë treguar që Rama të larguarve nga qeveri i ka dhënë poste në parti, kjo për të realizuar ndërrim të lojtarëve të ekipit qeverisës dhe në parti.