zoom

Aktualitet

Në kërkim për falsifikim dokumentash, arrestohen dy arkitektët në Tiranë

Dy shtetas që ishin shpallur në kërkim janë arrestuar ditën e sotme në Tiranë. Blutë bëjnë me dije se në pranga kanë rënë Armando Prelezi dhe Klevis Bregu, për të cilët Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për falsifikim dokumentesh.

“Dyshohet se ata kanë ngarkuar të dhëna të rreme për vendndodhjen e objekteve, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, nga të cilat disa shtetas janë pajisur me leje rindërtimi, në kundërshtim me ligjin. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur edhe sekuestro preventive mbi objektet e ndërtuara në mënyrë të paligjshme”,- njofton Policia.

Një ditë më parë, prokuroria e Tiranës shpjegoi se arkitektët kanë përdorur të dhëna të rreme në aplikimin që kanë kryer për leje ndërtimi për llogari të shtetasve, Manush Teqia, Abaz Tegja, Florian Zela, Arblin Harizi, Dorina Dushku, Gani Moka, Tefta Vishi dhe Mehmet Durishti, të gjithë në hetim për ndërtim të paligjshëm.

“Nga një verifikim i thjeshtë i koordinatave nëpërmjet aplikacionit ‘Google Maps’, rezulton se koordinatat e pasqyruara në relacione nga Arkitekti Armando Prelezi apo Klevis Bregu, tregojnë vendndodhje të ndryshme karahasuar me vendndodhjen reale të objekteve të konstatuara nga vetëdeklarimet pranë ASHK-së, apo edhe pa vendndodhje duke mos reklamuar koordinata.” – thuhet në një njoftim të prokurorisë.