zoom

Bota

Moti i keq në Itali, gjendet i pajetë një prej të zhdukurve

Ekipet e kërkim-shpëtimit që janë angazhuar në kërkimin e të zhdukurve pas përmbytjeve që përfshinë Italinë qendrore, kanë mund të gjejnë njërin prej të zhdukurve.

Ai është një burrë 47-vjeç nga Acervia ndërsa të zhdukur rezultojnë ende një fëmijë 8 vjeç dhe një grua 56-vjeçare, e cila ishte në makinë me vajzën e saj. Pra listës së viktimave i shtohet edhe ky 47-vjeçar që e çon numrin e tyre në 11.

Sipas asaj që raportojnë mediat atje ka rreth 150 persona që janë të zhvendosur. Lajmin e konfirmon prefektura e Ankonës, e cila sqaron se shumica e këtyre qytetarëve janë në komunën e Senigallia, por numri është në rritje.

Dyqind e pesëdhjetë zjarrfikës ndodhen në zonat e prekura nga moti i keq. Shumë prej tyre kanë ndihmuar në zhbllokimin e shumë akseve rrugore për të bërë të mundur kalimin në këto segmente nga ana e banorëve. /Zoom.al