zoom

Aktualitet

Mirela Kumbaro i dha leje jashtë kritereve “Moyo-s” në Drimadhe? A duhet të kallëzohet në SPAK?

Klubi i zhurmshëm i natës, “Moyo”, në plazhin e Drimadhes, po ua nxin pushimet të huajve e shqiptarëve me një licensë që dyshohet se është dhënë jashtë kritereve nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që drejtohet nga Mirela Kumbaro.

“Moyo”, siç ka raportuar më parë Zoom.al gjendet në zonën më të populluar të plazhit të Drimadhes. Në njërën anë ky bar-restorant, që shndërrohet në klub nate në orët e vona, ka resortin “Olea”, me dhjetra vila dhe apartamente ku kalojnë pushimet qindra turistë të huaj e shqiptarë.

Në anën tjetër ai kufizohet me disa nga hotelet më të njohura të zonës, si Morina Palace, Kaiser, Drymades Inn e disa hotele të tjera më të vogla, që po ashtu presin qindra pushues çdo ditë. (LEXO KËTU)

Pika 2 e nenit 8/1të ligjit “Për Vlerësimin dhe Administrimin e Zhurmës në Mjedis”, të ndryshuar më 13 prill 2023, përcakton qartë, e zezë mbi të bardhë, se muzika në zonat turistike ndalohet pas orës 24:00.

“2. Për mjediset e hapura në zona apo qendra të banuara dhe në zonat turistike, muzika lejohet nga ora 12:00 deri në orën 24:00. Brenda orarit të lejuar, personat fizikë e juridikë respektojnë nivelin kufi të zhurmës, të përcaktuar me akt nënligjor, sipas parashikimeve të këtij ligji.”

Kështu, lejimi i “Moyo” në Drimadhes apo “Folie Marine” në Jal që të bëjnë muzikë me volum të lartë pas orës 24:00 është në kundështim me ligjin.

Policia, në bazë të këtij ligji, do të duhet të ndërhyjë, siç përcakton i njëjti nen, në të kundërt, punonjësit e policisë të ngarkuar për të ushtruar kontroll, do të duhet të penalizohet.

Neni 8/1: “1. Policia e Shtetit është përgjegjëse për marrjen e masave për ruajtjen e qetësisë publike nga veprimtaritë që lëshojnë zhurmë nga muzika mbi nivelet e lejuara kufi, nëpërmjet:

  1. a) kontrollit me pajisje të certifikuara për matjen e niveleve të zhurmës të personave fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari që lëshojnë zhurmë nga muzika;
  2. b) kontrollit, matjes, pezullimit apo mbylljes së veprimtarive, që nuk respektojnë dispozitat e këtij ligji.
  3. Në rast se punonjësi i strukturës përgjegjëse të Policisë së Shtetit nuk ushtron kontroll, në zbatim të pikës 1, të këtij neni, apo nuk merr masë administrative, sipas parashikimeve të këtij ligji, ndaj tij merret masë sipas legjislacionit në fuqi për Policinë e Shtetit.”.

Por kush janë institucionet e përfshira në lejimi e këtyre lokaleve të privilegjuara të jugut, të cilët punojnë 24 orë, ndërsa lokalet e tjera ngjitur me ta mbyllen sepse nuk u jepet leje?

Neni 20 i ligjit përcakton se bashkitë (në rastin konkret Bashkia e Himarës) përcakton hartat strategjike të zhurmës.

Ajo që i miraton këto harta, që përcaktojnë se ku duhet lejuar muzika dhe ku jo, është Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Neni 20: “4. Bashkia, një vit pas hartëzimit të zhurmës dhe përgatitjes së hartave strategjike të zhurmës, harton planin vendor të veprimit…

  1. Gjatë hartimit të planeve të veprimit për menaxhimin e zhurmës, bashkia konsultohet me publikun, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi për konsultimin me publikun në vendimmarrjen për mjedisin.
  1. Çdo bashki raporton në ministri, brenda muajit dhjetor të çdo viti, për zbatimin e planit të veprimit.”

Zoom.al nuk ka informacione mbi procesin e dhënies së licencës për rastin e “Moyo” dhe ka kërkuar informacion pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe pranë Bashkisë së Himarës. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nga këto institucione nuk ka asnjë reagim.

Por siç thuhet në ligj, procedurat kanë nisur në Bashkinë që deri pak kohë më parë drejtohej nga Jorgo Goro, i cili ndodhet në burg, me kërkesë të SPAK për probleme me pronat në bregdet, në një zonë ku ka ndërtuar ish -deputeti Artan Gaçi, bashkëshorti i ish -Ministres Olta Xhaçka.

Neni 25: “2. Bashkia publikon hartën strategjike, duke siguruar që informacioni për zhurmën mjedisore dhe efektet e saj të vihet në dispozicion të publikut.”

Më pas, në skemë janë përfshirë edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, që është në vartësi të ministrisë së drejtuar nga Mirela Kumbaro dhe policia e shtetit.

 Ligjit thotë se “Matjet për nivelin e zhurmës kryhen nga:

  1. a) Agjencia Kombëtare e Mjedisit për instalimet e pajisura me leje mjedisi;
  2. b) Policia e Shtetit për veprimtaritë që lëshojnë zhurmë nga muzika, mbi nivelet e lejuara kufi;
  3. c) bashkia për veprimtaritë e tjera që lëshojnë zhurmë, mbi nivelet e lejuara kufi.
  4. Matjet kryhen në kuadër të kontrolleve dhe në funksion të zgjidhjes së ankesave të organeve shtetërore, të publikut e të personave juridikë e fizikë drejtuar ministrisë, ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë dhe bashkisë, në territorin e së cilës ndodhet burimi i zhurmës.”

Ankesat e qytetarëve janë të pafundme për zhurmën që bëjnë gjatë natës në këto lokale. Por institucionet nuk reagojnë. “Moyo”, siç ka mësuar Zoom.al nga burime të hapura, është i pajisur me licensë. Por kjo licensë, sipas konsultimeve të ligjit të mësipërm me ekspertë të jurisprudencës, ka dyshime të forta se është dhënë jashtë kritereve.

Vetë Kumbaro do të bënte këtë deklaratë me miratimin e ndryshimeve ligjore që u bënë për të mos lejuar lokalet e zhurmshme që t’u prishnin pushimet turistëve të huaj e qytetarëve shqiptarë.

“Do të kemi një kontroll shumë më të rreptë të ligjit, do të kemi fasha orare shumë më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të policisë së shtetit për sa i përket kontrollit, tashmë me mjete të certifikuara dhe sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të kontrolluar ndotjen akustike, për të kontrolluar oraret, por dhe një detyrë të re për bashkitë, njësitë e qeverisjes vendore që me hyrjen në fuqi të këtij ligji kanë për detyrim të përcaktojnë hartën e zhurmave ose hartëzimin e territorit”, u shpreh ministrja.Do të ketë një ndarje më të qartë të kompetencave për t’i dhënë fund njëherë e mirë atij topit që hidhej sa tek mjedisi, sa tek bashkia, sa tek policia, sa tek shëndetësia. Tashmë të gjitha institucionet i kanë rolet shumë të qarta. Edhe njëherë dua të theksoj që kontrolli do të bëhet me mjete të certififkuara dhe akredituara, fashat orare për sezonin e verës, për aktivitetet muzikore normale, të përditshme do të jenë nga ora 12.00 e drekës në orën 00.00 të natës në përputhje me hartëzimin e bërë nga bashkia dhe policia e shtetit do të marrë kompetencat për të matur, kontrolluar, monitoruar apo penalizuar aktivitetet ekonomike që nuk i respektojnë këto norma.”

Por ligji, në realitet, siç rezulton në këtë rast, zbatohet vetëm për ata qyetarë e biznese që nuk kanë lidhje me qeveritarët.

Teksa policia nuk vepron për ta zbatuar ligjin, organet e tjera të zbatimit të ligjit duhet të ndërhyjnë. Leja për “Moyo” është miratuar nga drejtues të institucioneve dhe ratifikuar prej zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mjedisit. Për shkak se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë, pushuesit që pushimet po u bëhen të pamundura nga zhurma e “Moyo” duhet t’i drejtohen SPAK, si prokuroria kopetente për të hetuar rastet e abuzimit me detyrën apo të korrupsionit në nivele të larta. /Zoom.al