zoom

Lajme

Minuta ankthi për qeverinë, Arben Ahmetaj flet pas pak për aferat e Ramës

Minuta ankthi në kampin socialist.
Ish -zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj pritet “të zbërthejë thesin” sonte në intervistën që do të transmetohet në Syri TV, në 20:45.

Në spotin që ka disa ditë në ekranin e këtij televizioni Ahmetaj paralajmëron se do të flasë për çështje ku është përfshirë vetë kryeministri Edi Rama.

Ai thotë se ekzistojnë përgjime ambientale, të cilat sipas tij “po lënë pa gjumë familjen e kryeministrit Rama”.

Çështja që ai përmend është “Eco Park” në Durrës, ku sipas opozitës është përfshirë familja e kreut të qeverisë, ndërsa sipas Ahmetajt Rama ka zhdukur dokumenta kompromentues.

Sipas Ahmetajt, ekzistojnë edhe video të McGonigal me zyrtarë të qeverisë në Dubai.

Ish- zv.kryeministri thotë gjithashtu se është kërcënuar me jetë që të mos flasë.

“Ça më thanë mua këta? Do të çojmë në të sëmës… Do të fusim në burg. Do të lënë fëmijët jetimë! T’i marrim gruan dhe ish-gruan e t’i fusim në burg…”, rrëfen Ahmetaj kërcënimet e marra, por pa përmendur emra personash, të paktën në spotin e emisionit.

Intervista e Ahmetajt pritet të prodhojë sërish zhurmë në politikë, ndërsa në kampin socialist ekziston frika se deklaratat e tij mund të vënë në lëvizje SPAK për të goditur kreun e qeverisë. /Zoom.al