zoom

Aktualitet

Ministria e Drejtësisë kërkon “kokën” e Durim Bamit. Çfarë zbuluan përgjimet për të

Me kërkesë të ministrit Ulsi Manja, Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e Durim Bamit në autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kjo kërkesë është dërguar në rrugë shkresore dhe elektronike.

Ministria e Drejtësisë ka marrë njoftim nga Ministria e Jashtme se kërkesa dhe dosja për Bamin janë marrë në dorëzim nga pala arabe.

Durim Bami, i shumëkërkuar nga autoritetet shqiptare, u arrestua në fillim të muajit qershor në Dubai.

Durim Bami u shpall në kërkim në kuadër të dosjes Revansh të hetuar nga SPAK. Bami akuzohet për planifikimin e vrasjes së Arben Ndokës, Tori Xhecukës, dhe Erigers Mihasit.

SPAK në kuadër kësaj dosjeje kërkoi arrestimin e 50 personave.

Nga 50 personat të përfshirë në këtë dosje, 16 prej tyre kishin thurur plane për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami.

Sipas SPAK, ndërkohë që Martinaj dhe Ndoka sigurojnë infrastrukturën për vrasjen e Durim Bamit, Emiljano Shullazi merr informacione nga burgu për lëvizjet e tij. Shullazi komunikon me Marklen Hakën për vendndodhjen e Durim Bamit, ku në një moment e pikasin atë në zonën e Oxhakut në Tiranë.

“Për atë do të bëjë edhe policia festë kur ta heqim, nuk merren me hetime me gjëra”, thekson në njërin prej komunikimeve Emiljano Shullazi ndaj Marklen Hakës.