zoom

Lajme

Meta për implikimin e Olsi Ramës te Xibraka: Edi Rama ka krijuar narko-shtet dhe ekonominë e krimit

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, komentoi sot edhe denoncimin e Gazment Bardhit, që tha se Olsi Rama është i përfshirë në dosjen e kokainës së Xibrakës.

Ish-presidenti theksoi se nuk di nëse denoncimi në fjalë është i vërtetë, por se u shpreh se Edi Rama ka krijuar një narko-shtet. Sipas Metës, Rama ka krijuar ekonominë e krimit.

“Të gjithë e dinë që ky është narko shtet dhe në krye të narko shtetit është Edi Rama. Rilindja ka prioritet ekonominë e krimit, të kullave, që rrit koston e jetesës dhe rrit çmimet e apartamenteve. Në të gjithë Shqipërinë komandojnë njerëz të tillë, e keni parë në dosjen “Metamorfoza” se çfarë lidhjesh kanë funksionarë të shtetit me trafikantët e drogës.

Për mua prioritet tani është fuqizimi i Partisë së Lirisë. Deputetët tanë janë më aktivët, qytetarët tanë në Bashkinë në Tiranë janë më aktivët. Të gjithë qytetarët duhet të mbështeten, por pensionistët janë ata që po përjetojnë një situatë të rëndë nga ekonomia e shkatërruar e Shqipërisë”, tha Meta për “News24”.

Ai deklaroi gjithashtu se kryeministri Edi Rama vetëm iu shmanget përgjegjësive dhe se me Ramën kryeministër, nuk mund të ketë normalitet.

“Për sa kohë që Edi Rama është kryeministër, nuk mund të ketë jetë normale parlamentare. Le të shpresojmë që të ketë normalitet. Por, nuk besoj se normaliteti do të zgjasë shumë. Rama do bëjë gjithçka për të bllokuar llogaridhënien. Nga Komisionet Hetimore ne presim të verifikohet paligjshmëria dhe veprimet mafioze që janë kryer në TIMS nga grupet mafioze, që mbështeten nga Rilindja.

Nuk pres ndonjë gjë nga Reforma Zgjedhore. Unë besoj se edhe opozita duhet që të riorganizohet në themel. Riorganizimi i duhet edhe Partisë Demokratike. Organizimi është shumë i rëndësishëm. Prandaj unë çohem shpejt dhe eci me ritëm. Sali Berisha është më i organizuar nga të gjithë. E rëndësishme është që opozita po lëviz”, deklaroi Meta.

Ai gjithashtu komentoi edhe shembjen e aksit Korçë-Ersekë. Meta tha se ka qenë në terren dhe se ajo që ka ndodhur është një katastrofë, duke u shprehur se fajtori i madh për shembjen e kësaj rruge dhe shumë çështje të tjera është Edi Rama.

“Shkatërrimi i rrugës Korçë-Ersekë është një katastrofë. Bëhen disa arrestime, por fajtori i madh është Edi Rama. Jam marrë vetë me rrugët dhe nuk kam parë rrugë që ka vetëm dhe, nuk ka as gurë. Kjo është e tmerrshme. Në këtë shtet ka vetëm PPP. Jemi për një qeveri teknike. Opozita duhet të organizohet, sepse kemi një regjim, që duhet të rrëzohet. Me organizim, qeveria do shembej si rruga Korçë-Ersekë”, deklaroi Meta. /ZOOM.AL/