zoom

Aktualitet

Mediat e huaja: Paratë e drogës vazhdojnë të riciklohen në Shqipëri në sektorin e ndërtimit

Prej 3 vjetësh Shqipëria vijon të jetë në listën gri të “MoneyVal” për pastrimin e parave. Sektori kryesor ku injektohen paratë e ardhura nga aktivitete kriminale është ndërtimi. Qendra me bumin e investimeve është Tirana. Kullat e larta shihen nga çdo cep i kryeqytetit. Janë ngritur me një shpejtësi marramandeëse shumë prej tyre. Të tjera kanë hedhur themelet në pjesët më të lakmuara. Mijëra leje ndërtimi jepen çdo vit.

Një shqiptar u arrestua javën e kaluar në Itali si pjesë e një rrjeti të trafiku të drogës, që kishte 500 klientë në rajonin e Parmës, me një biznes për 1 milionë euro në vit.

“Të ardhurat e mëdha që rrjedhin nga trafiku i drogës do të ricikloheshin kryesisht në Shqipëri me investime në sektorin e pasurive të paluajtshme”, shkruajnë mediat italiane.

Trafikanti shqiptar ishte qëlluar me 3 plumba në këmbë pak ditë para arrestimit.

“Gati 3 milionë metër katrorë leje ndërtimi për 1,028 ndërtesa të reja janë dhënë nga Bashkia Tiranë në harkun kohor 2017-2019. Të dhënat janë nga INSTT.
Ndëra në një raport të Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar thuhet se rreth 60 për qind e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në këtë periudhë kohore në kryeqytet nuk justifikojnë burimet e tyre financiare. Sipas të njëjtit raport, vetëm në 3 vjet, në sektorin e ndërtimit janë afro 1.6 miliardë euro.

Sipërfaqja e ndërtimit u dyfishua në vitin 2020 në krahasim me vitin 2017, në 1 milion e 600 mijë metra katror.

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi në raportin e tij se qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë përparim të dukshëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimeve financiare gjatë vitit 2020 dhe se “vendi mbetet i dobët ndaj këtij fenomeni për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare”.

Këto para vijnë nëpërmjet grupeve kriminale që operojnë san ë Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera ku lulëzon trafiku i drogës, si Holanda, Belgjika, Spanja, Gjermania etj.

Autoritetet thonë se kanë raportuar me qindra raste, por bëhet fjalë për raste të kapura nëpërmjet sistemit bankar. Lumi i parave vjen kryesisht nga rrugë joligjore.

Kjo është panorama teksa kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një iniciativë për të legalizuar paratë jashtë bankës, nëpërmjet një amnistie fiskale dhe penale që, nëse realizohet, do të shënojë rastin e parë në Shqipëri.

“MoneyVal”, BE, FMN dhe organizma të tjerë kanë dalë hapur kundër nismës së qeverisë. Ata e frenuan atë disa vite më parë, por kryeministri organizoi një pyetësor, të quajtur “Këshillimi Kombëtar”, me anë të të cilit thotë se ka marrë mendimin e mbi 300 mijë shqiptarëve.

Të pyeturit, sipas kryeministrit, janë dakord që këto para të legalizohen. Akush s’e di se kush janë ata që kanë dhënë mendime për një çështje që kërkon ekspertizë të veçantë. Por është e sigurt që asnjërit prej të pyeturve nuk iu tha në pyetësor që organizmat ndërkombëtare janë kundër një veprimi të tillë.

Kryeministri thotë se kjo nismë synon të legalizojë paratë e ndonjë emigranti që ka punuar në të zezë. Nëse do të ishte kështu, thonë ekspertët, duhet të vendoste një tavan për shumën që mund të ketë kursyer emigranti duke punuar në të zezë.

“Larg të qenit një nismë në ndihmë të emigrantëve, amnistia fiskale e Ramës ka shumë gjasa që të jetë një legalizim i krimit dhe i korrupsionit të sotëm të Shqipërisë”, shkruan BIRN në një artikull kritik mbi inicativën.

Kjo mënyrë, sipas ekspertëve, do të bëjë që mjaft trafikantë të shndërrohen ligjërisht në biznesmenë duke injektuar fluske të mëdha të parave të pista në ekonomi, pa qenë nevoja t’i riciklojnë në ndërtim e sektorë të tjerë, por duke dëmtuar drejpërdretë biznesin e ndershëm që vazhdon të paguajë nëpër banka kredi të kripura, të marra për të ngritur në këmbë sipërmarrjet e tyre. /Zoom.al

Shqipëruar nga https://www.parmatoday.it/cronaca/droga-carabinieri-procura-arresti.html