Aplikacion
Mijëra janë evakuuar nga ndërtesat e plasaritura në Bangkok, Tajlandë, tre ditë pas një tërmeti të fuqishëm që ka vrarë më shumë se 1700 në Myanmarin fqinj.
Pasi mijëra njerëz u evakuuan nga disa ndërtesa në Bangkok, kryeministrja tajlandeze Paetongtarn Shinawatra shkroi në mediat sociale se çarjet që kishin shkaktuar evakuime ishin “paraekzistuese”.
“Vendimi për evakuimin e çdo ndërtese është në diskrecionin e çdo organizate; megjithatë, ne kërkojmë që çdo vendim i tillë të komunikohet qartë dhe të bazohet në informacione të verifikuara nga burime zyrtare të qeverisë”, tha ajo.
Ajo gjithashtu u bëri thirrje pronarëve të ndërtesave që “të inspektojnë urgjentisht ndërtesën për të përcaktuar qartë nëse çarjet janë të vjetra, ekzistuese apo të reja”.
Ndërsa pasgoditjet janë raportuar në Myanmar, Paetongtarn tha se sipas shkencëtarëve, “nuk kanë ndikim në Tajlandë”.
Tërmeti i së premtes ka shkaktuar çarje në gati 170 ndërtesa në të gjithë kryeqytetin tajlandez, sipas guvernatorit të Bangkok Chadchart Sittipunt.
Ndërkohë OBSH bëri apel për një ndihmë prej 8 milion dollarë ndërsa ekipet e shpëtimit paralajmëruan për një krizë humanitare në Mianmarin e shkatërruar nga lufta.
Agjencia thotë se po përgjigjet në “nivelin më të lartë të aktivizimit të urgjencës” dhe nevojiten donacione “për të parandaluar shpërthimet e sëmundjeve dhe për të rivendosur shërbimet thelbësore shëndetësore gjatë 30 ditëve të ardhshme”.
Udhëheqësit ushtarakë të vendit po kryejnë gjithashtu sulme ajrore kundër një rezistence të armatosur që ata kanë luftuar për katër vjet, raporton BBC.