zoom

Politikë

Mbeten jashtë selisë edhe të rinjtë e FRPD-së: E turpshme, s’jemi ne rreziku

Përpos disa prej përfaqësuesve të Komisionit të Rithemelimit në PD, jashtë godinës së selisë blu kanë mbetur edhe disa të rinj të FRPD-së.

Këta të fundit do të zhvillonin një mbledhje në lidhje me protestën e thirrur për ditën e shtunë nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Ata deklaruan për mediat se Basha po u mbyll dyert të rinjve edhe pse ata nuk përbëjnë asnjë rrezik.

“Jemi një grup të rinjsh të FRPD-së. Jemi thirrur për të bërë një mbledhje në lidhje me protestën e të shtunës. Janë mbyllur të gjitha dyert dhe nuk kemi hyrë dot në seli. Kjo seli nuk është pronë e askujt.

T’u mbyllësh derën të rinjve është shumë e turpshme. Nuk mendoj se ka nevojë të njoftohet administrata. Ne kemi hyrjen tonë. Nëse këto dyer mbyllen për të mbrojtur këtë seli nuk besoj se ne përbëjmë rrezik. Është një mbyllur dyersh për çdo mendim ndryshe. Do jemi pjesë e protestës”, tha njëra prej tyre.

Ata u shprehën se janë përballur me sfida të ndryshme që nga burgu e deri te akuzat për të luftuar që Basha të bëhet kryeministër.

“Nuk e pranojmë këtë të ardhme me dyer të mbyllura. Më 8 Janar është detyrë e çdo demokrati të ndalojë marrjen peng të partisë. Të kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur të kësaj familje politike.

T’i mbyllësh derën të rinjve, do të thotë t’i mbyllësh derën të ardhmen. Është hequr sigla e FRPD. Po përjetojmë sot në partinë tonë një pjesë të regjimit komunist. U bëjmë thirrje të gjithëve të na bashkohen në datën 8.

Kemi hyrë në burg për të të bërë ty kryeministër. Lulzim Basha je mbyllur si ai qeni në kafaz. Ne nuk jemi kriminel zoti Lulzim Basha. Ne e duam partinë të çliruar. PD nuk duhet të ketë as dyer dhe as dritare sepse është simboli I lirisë së Shqipërisë. Ta kesh të qartë Lulzim Basha.

Më vjen turp zoti Basha që kam luftuar që ti të bëhesh kryeministër. Tip o mendon se po zgjidh të ardhmen por rinia është këtu. Më 8 Dhjetor do e çlirojmë partinë demokratike. Edi Rama nuk të lejon ty të japësh dorëheqjen. Blindimin e ka zakon vetëm Edi Rama dhe diktatorë si puna e tij”, thanë ata.

Kujtojmë se dera qëndrore e selisë së Partisë Demokratike është e mbyllur duke mos lejuar kështu “depërtimin” e askujt brenda. Komisioni i Rithemelit akuzon Bashën për blindim dhe kthim të kësaj godine në bunker politik.