Aplikacion
Luli akuzohet për vrasje të trefishtë në Torovicë, ndërsa që prej 1993 ai qëndronte në shtetin italian. Ai mbante identitet boshnjak, teksa u lokalizua dhe ndalua që prej 5 qershorit 2019 në vendin fqinj.
Në vitin 1993, pas konfliktit për pronën të vrarë mbetën tre kushërinjtë Nikoll Luka, Mark Luka dhe Pal Luka, të cilët iu bë pritë nga Lula tek “Kroi i Denicës”, pas një konflikti të përgjakshëm për pronat. Fillimisht Gjykata e Lezhës e dënoi me burg përjetë më 1996, por më pas u lanë në fuqi vetëm 25 vite izolim.
Burime zyrtare sqaruan se lokalizimi i këtij shtetasi, erdhi si rezultat informacionit të siguruar nga Policia e Shtetit, për vendndodhjen e tij, dhe shkëmbimit të këtij informacioni ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
“Si rezultat i punës intensive të Policisë së Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, si dhe i verifikimeve të kryera në bashkëpunim me Policinë e Lezhës, u krye ekstradimi nga Milano, i shtetasit Bardh Lula alias Bardhyl Luli, 54 vjeç.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e ka dënuar këtë shtetas me 25 vjet burgim, pasi më datë 12.06.1993, në vendin e quajtur “Kroi i Denicës”, Torovicë, ka vrarë 3 shtetas (kushërinj mes tyre, pas një sherri)”, tha Policia.
Nga verifikimet e mëtejshme të kryera nga Policia e Shtetit dhe Policia italiane, rezultoi se shtetasi Bardh Lula alias Bardhyl Luli, që në vitin 1993, kishte hyrë dhe qëndronte në Itali, me dokumente false.
54-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme. /ZOOM.AL/