Aplikacion
Katër ndeshje radhazi pa fitore janë shifra që flasin qartë, Man.City nuk është në momentin e tij më të mirë, por “qytetarët” kanë pasur një kalendar “ferri”, ku në katër sfidat e fundit në Premier League janë përballuar me të gjithë pretendentët, Chelsea, Liverpool, Tottenham dhe së fundmi Aston Villa.
Në Villa Park, ekipi i Pep Guardiola-s mori një leksion të vërtetë pasi ekipi i Emery e dominoi në çdo aspekt: 22 raste për gol, 7 gjuajte në kuadrat, kundrejt dy gjuajtjeve në kuadrat nga ana e City, më saktë vetëm një rast të pastër me Haaland.
Pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, Aston Villa kaloi në avantazh në minutën e 74-të, ku goditja e Bailey gjeti një devijim duke përfunduar në rrjetë. Villa kishte shansin dhe të realizonte golin e dytë, por portieri Ederson dhe shtylla nuk lejuan që rezultati të ndryshonte.
Fal këtij suksesi minimal 1-0, Aston Villa parakalon Man.City në renditje duke u pozicionuar në vendin e tretë me 32 pikë, 2 më shumë se sa Man.City:
“Ky rezultat ishte dhe një lloj përfundimi i asaj që kemi bërë në ndeshjet e fundit, ku nuk kemi fituar, ishim nën presion. Kjo është cilësia e Premier League, ku të gjithë ekipet janë të shkëlqyera. Ne do të përpiqemi të bëjmë punën tonë, por Aston Villa ishte më mirë se ne, e merituan”, u shpreh Guardiola pas ndeshjes.

Kurse Liverpool ka marrë triumfin e dytë radhazi në Premier League, pas suksesit 0-2 në fushën e Sheffield United, duke kapur kreun e renditjes. The Reds hasën mjaft vështirësi në pjesën e parë dhe për të ardhur te goli u desh të kalonin 35 minuta lojë.
Gjatë zhvillimit të një goditje këndi, një krosim i Alexander-Arnold gjeti krejtësisht të papërgatitur mbrojtjen vendase, me Van Dijk që me një të djathtë të fortë dërgoi sferën pas shpinë së portierit Wesley Foderingham.
Pavarësisht dominimit total të të besuarve të Klopp, fraksioni i parë përfundoi 0-1. Liverpool siguroi fitoren vetëm në fundin e ndeshjes falë golit të hungarezit Dominik Szoboszlai. /ZOOM.AL/