zoom

Politikë

“Mamit e xhaxhait tim i kërkuan dorëheqje”- Denoncimi i studentes dhe thirrja për Pjerin Ndreun

Një studente ka denoncuar se për shkak të përfshirjes së saj në fushatën zgjedhore nënës dhe xhaxhait të saj, që punojnë në institucione shtetërore iu është kërkuar të japin dorëheqje.

“Mamit punon prej 23 vitesh te Biblioteka Publike e Lezhës, dhe xhaxhai im, punon prej 23 vitesh si punonjës policie. Por 3 ditë pas rezultatit janë thirrur me urgjencë dhe ju është thënë se duhet të japin dorëheqjen ‘sepse familja juaj nuk ka punuar që kryetari jonë të rizgjidhet’”, shkruan Arilda Leshi në një postim në Facebook.

Në një thirrje drejtuar kryebashkiakut të Lezhës, ajo shprehet se “Bashkia nuk është ndërrmarrja jote private”, ndërsa shtoi “as mami e as xhaxhai nuk do japin dorëheqje”.

Postimi i plotë:

Për shkak të përfshirjes time në fushatën për zgjedhjet vendore, mamit tim, që punon prej 23 vitesh te Biblioteka Publike e Lezhës, dhe xhaxhait tim, që punon prej 23 vitesh si punonjës policie, ju është kërkuar të japin dorëheqje.

Mami im ka një jetë që punon në Bibliotekë. Të gjithë fëmijët e Lezhës e njohin si teta Lula e Bibliotekës. Çdo fëmijë e mban mend me dashuri.

3 ditë pas rezultatit, puna vazhdoi me vrull. ‘Puna është në ADN-në tuaj’, ajo e mbrapshta. Mami dhe xhaxhai janë thirrur me urgjencë dhe ju është thënë se duhet të japin dorëheqjen ‘sepse familja juaj nuk ka punuar që kryetari jonë të rizgjidhet’. Tashmë jemi një familje me njollë në biografi, sepse nuk kemi punuar për nënën parti.

Z. Ndreu,

– Bashkia nuk është ndërmarrja jote private, por institucion publik në shërbim të qytetarëve. Administrata nuk të detyrohet besnikëri politike. Ti je një i zgjedhur i përkohshëm.

– Liria e bindjes politike është e drejtë themelore demokratike dhe kushtetuese që pas vitit 1990. Ndoshta botëkuptimi juaj nuk është azhornuar akoma.

As mami, as xhaxhai nuk do japin dorëheqjen. Mund të vazhdoni me hapin e rradhës dhe t’i vidhni edhe disa taksa qytetarëve duke humbur gjyqin.

Mbështetësit e Z. Ndreu, gjatë fushatës, pretendonin se ai përfaqësonte një ‘model qeverisjeje’. Për çfarë modeli e kishit fjalën? Për atë diktatorial?

Gjatë fushatës, Z. Ndreu postonte se rinia është një ‘prioritet absolut’. Si mbështetet rinia Z. Ndreu, duke i mbyllur gojën, duke i mohuar liritë themelore të shprehjes e bindjeve?

Gjithsesi unë nuk besoja në sinqeritetin e ideve tuaja. Prandaj edhe zgjodha të pozicionohem kundra jush në këtë fushatë. E drejta ime. Do vazhdoj të shprehem e pozicionohem ashtu si ma dikton ndërgjegjja.