Aplikacion
Të dhënat e publikuara në QKB tregojnë se nëpërmjet parave të dhëna nga qeveria, si Kastrati po pasurohen edhe shumë biznemenë të tjerë, “klientë të qeverisë”.
SHEFQET KASTRATI
Kompania “Kastrati Group”, siç rezulton nga një renditje e bërë nga revista Monitor, që publikoi listën e 200 bisneseve më të mëdha, e ka fitimin nga paratë e shtetit në masën 75 përqind. Zoom.al bëri një llogaritje të fitimeve të kësaj kompanie për vitin 2023.
Koncesioni i Tirana International Airport i jep Kastratit më shumë para se 21 kompanitë e tjera të tij, të marra së bashku. Nga 81 milionë euro fitime në vitin 2023, 41.8 milionë vijnë nga koncesioni kontrovers i Aeroporti të Tiranës.
Nga përllogaritja e këtyre të dhënave rezulton se total, nga 81 milionë euro fitime, 49 milionë euro Kastrati Group i merr nga Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza dhe vetëm 32 milionë i merr nga kompanitë e tjera.
Nga koncesionet në total Kastrati Group merr 57 milionë euro dhe nga bizneset që nuk janë të lidhura me shtetin merr 24 milionë euro.
RROK GJOKA
Por ka një tjetër klient të qeverisë që i merr fitimet 100 % nga paratë e shtetit. Janë kompanitë në pronësi të Rrok Gjokës. Ato kanë një fitim prej 31,060 milionë eurosh dhe janë të gjitha nga koncesionet.
PËLLUMB SALILLARI
Pëllumb Salillari, një bisemen që ka disa kontrata koncesionare, vetëm apo në bashkëpunim me Shefqet Kastratin, ka 48 perqind të fitimeve nga paratë që merr nga shteti. Në total, fitimi për vitin 2023 është 12,564 milionë euro.
BASHKIM ULAJ
Bashkim Ulaj, me 6 kompanitë e tij, ka afro 30 përqind të fitimeve nga kontratat koncesionare. Në total fitimi për vitin 2023 përllogaritet në 4,951 milionë euro. Gener 2, kompania që ka ndërtuar me koncesion autostradën Thumanë – Kashar, ka fitimet më të mëdha.
Në 10-shen e parë të biznesmenëve me kompanitë që kanë fitimet më të mëdha janë Samir Mane, Shefqet Kastrati, Rrok Gjoka, Pëllumb Salillari, Bashkim Ulaj, Vasil Naçi, Luan Leka, Vullnet Sinaj, Agron Shapllo e Serafin Orgocka.
Por sipas revistës Monitor, deputeti socialist Vullnet Sinaj, me kompanitë e tij të BigAlb rezulton me zero fitim nga kontratat shtetërore. Me zero fitime nga shteti rezultojnë edhe biznesmenët Samir Mane, Luan Leka, Vasil Naçi e Grigor Joti. /Zoom.al