zoom

Aktualitet

Lezhë/Policia shkon për kokainë, gjen dy përdhunuesit e 15-vjeçares

Një aksion i nisur për goditjen e një grupi të rinjsh që tregtonin kokainë në qytet, ka çuar policinë e Lezhës në arrestimin edhe të dy përdhunuesve, të cilët kishin abuzuar me forcë me një 15-vjeçare.

Sipas njoftimit të uniformave blu janë arrestuar tre të rinj, ndërsa është shpallur në kërkim një 16-vjeçar (bashkëpunëtor i tyre), në banesën e të cilit ruhej lënda narkotike e llojit kokainë, e ndarë në dhjetëra doza që ishin gati për shpërndarje.

Në pranga kanë rënë I. P., 20 vjeç, A. G., 19 vjeç ( së bashku përdhunuan të miturën) dhe K. T., 20 vjeç. Përveç drogës policia sekuestroi edhe 1 kallëp tritol, kapsolla detonatore dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Ndëshkimi”. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Lezhë, bazuar në inteligjencën informative, për disa të rinj që shpërndanin lëndë narkotike kokainë. Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Bazuar në inteligjencën informative se këta 3 shtetas shpërndanin lëndë narkotike, të cilën e mbanin në banesën e një 16-vjeçari, shërbimet e Policisë kanë ushtuar kontroll në këtë banesë dhe si rezultat, kanë gjetur dhe kanë sekuestruar një pako të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në dhjetëra doza, të gatshme për shitje, 1 peshore elektronike, 1 kallëp tritol, kapsolla detonatore dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Në momentin e kontrollit, 16 vjeçari, në banesën e të cilit u gjetën sendet e kundërligjshme, nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim. Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Gjithashtu, gjatë këtij operacioni rezultoi se shtetasit I. P. dhe A. G., në banesën e 16-vjeçarit, kishin kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me një shtetase të mitur 15 vjeçe, e cila është paraqitur në Komisariatin e Policisë dhe në prani të prindërve, psikologut dhe avokatit, ka bërë kallëzim për këta 2 shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve“, në ngarkim të shtetasve I. P dhe A. G., ndërsa në ngarkim të shtetasve K. T. dhe të 16-vjeçarit, materialet u referuan për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.