Aplikacion
Shkak është bërë një shkrim nën titullin “Emigrantët në Shqipëri, Rama i kthen krahët Melonit: Qendra do të jetë një dështim”, i gazetarit Gerardo Greco, i cili ka publikuar në gazetën më të madhe italiane mendimet e lirshme të kryeministrit shqiptar, të shprehura gjatë një kafeje me të.
Gazetari ka tregon se si Rama e sheh të dështuar ende pa nisur qendrën e emigrantëve në Gjadër të Lezhës, sipas marrëveshjes mes tij dhe kryeministres Meloni.
“Kryeministër, ju ndërtoni tashmë pallate brenda natës, ndërsa qendra italiane për emigrantët në Shqipëri përbëhet vetëm nga katër ruspa të braktisura. Diçka nuk shkon” – i thotë gazetari.
“Ajo gjë aty është vetëm italiane. Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë” – thotë Rama.
“Por a jeni të sigurtë që s’ka përfunduar tashmë?” – shton ai.
“Kryeministër, mos bëni kështu” – vijon gazetari italian, i cili shpjegon se në këtë moment Rama nis t’i flasë në konfidencë.
“Miku im, gjithsesi qendra do të jetë gati për disa muaj, kjo nuk është asgjë. Por problemi do të jetë funksionimi i saj. Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si i menaxhoni 3000 persona në 28 ditë me burokracinë italiane dhe rregullat evropiane?”
Kur politika, ekspertë dhe mediat italiane i vinin në dukje kryeministrit të Shqipërisë faktin se marrëveshja as nuk zgjidhte problemin as nuk do të funksionte, ai s’e pohoi asnjëherë atë që i tha gazetarit të “La Repubblika” në kafene.
Për më tepër, shikoni se çfarë thotë ai pasi gazetari italian e nxorri zbuluar, duke e akuzuar për një farë “besëprerje”, sepse i nxorri atë çfarë ai e ka thënë.
“Jo, as kam ndryshuar ide, as kam dhënë intervistë. Kam bërë shqiptarin që praktikon fenë e vet të lashtë të mikpritjes – shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut – duke iu ofruar një kafe disa miqve të mirë që kishin ardhur në Tiranë nga Italia. Folëm për shumë gjëra në një atmosferë të bukur miqësore dhe, sigurisht, edhe për marrëveshjen dhe historinë e imigracionit klandestin nga Shqipëria drejt Italisë, të cilit qeveria D’Alema arriti t’i jepte fund me një logjikë dhe largpamësi strategjike. Kurrë, ama, nuk e kisha menduar që do të përfundoja edhe njëherë në batakun e luftës politike italiane, duke më cituar me fjalë që nuk i kam thënë kurrë, të llojit “do jetë një dështim” ose “do duhej D’Alema” nën titullin “Rama heq dorë nga Meloni”, ku nuk e gjej aspak veten”- reagoi Rama në X.
Po përse kryeministri shfaqet me dy fytyra? Gazetari italian duket se ka arritur ta kuptojë se si funksionon kryeministri i Shqipërisë, ndaj ka edhe përgjigjen në shkrimin e tij. Ai lë të kuptohet se Rama i citon D’Alemën dhe po i kthen krahët Melonit, sepse ka hallin të afrohet me socialistët europianë, të cilët duket se i kanë bërë dalje që prej firmosjes së marrëveshjes me Melonin.
“Tani thonë se Rama është pak i ftohtë me socialistët europianë. Se ai nuk erdhi në Romë në kongresin e PSE në mars edhe për këto qendrat “e jashtme” të migrantëve: ato nuk janë tamam një ide e madhe progresive. Dhe prandaj ai dëshiron të dërgojë disa sinjale afrimi me atë botë” – shkruan gazetari italian.
“A e dini se kush do ta dëshironte? D’Alema do të duhej!” – i thotë Rama.
“Dhe këtu kryeministri shqiptar tërhiqet nga shpirti i tij si një socialdemokrat i vjetër, ndoshta duke kërkuar një pajtim me socialistët evropianë, duke dyshuar për shumë WhatsApp-et e tij me Melonin. “President, tani çfarë lidhje ka D’Alema me të?” – vijon gazetari.
Por ndryshe nga sa i ka thënë gazetarit, në kafenenë e hotel “Rogner”, pak metra nga zyra e tij në kryeministri, Edi Rama ka një rrëfim tjetër për publikun.
“Megjithatë, e përsëris: Edhe po të kthehesha një qind herë pas, sërish do ta bëja marrëveshjen për migrantët me Italinë dhe me asnjë vend tjetër. E kam thënë gjithnjë që, sipas meje, është diçka e re që duhet të kalojë provën e realitetit.”
Publiku e ka të qartë tashmë se çfarë mendon realisht Edi Rama për marrëveshjen dhe qendrën e Gjadrit, por ajo që është ende e pakuptueshme është se përse kryeministri e nënshkroi atë edhe pse kishte bindjen se ishte e dështuar. /Zoom.al