zoom

Blog

Ky 8 Marsi ynë kaq hipokrit

Nga Sheila Rexho

Vëmendje: Ky postim përmban diçka të quajtur sarkazëm, ndaj nuk është i përshtatshëm për këdo. Më kujtohet se që prej fëmijërisë nuk më ka pëlqyer rituali ynë tradicional çdo 8 Mars.

Me kujtohet dualizmi i pafajshëm, revolta dhe intimidimi fëminor, se nëse nuk do t’i dhuroja mamit lule, një kartolinë apo diçka simbolike si gjithë të tjerët , do t’i privoja asaj kënaqësinë që të ndihej e vlerësuar si gjithë gratë e tjera. Në fund të fundit nuk desha t’i bija askujt ne sy për të më stereotipizuar si “ndryshe”… Nuk mund te mohoj as antipatinë ndaj drekave kolektive, me ato vallëzimet grua- grua apo më vonë me shthurrjen nëpër klube nate, ku striptistët e huaj i çlironin prej epsheve gratë e pispillosura… Sepse është një ditë e veçantë, apo jo?!

Dita që “ne femrat” duhet të zotohemi të shprehim ngazëllimin e të qënit grua, të marrim dozën false të vëmendjes, të gënjejmë veten me solidaritetin e rremë ndaj njëra-tjetrës, thjesht për hir të një date historike.

“What a bullshit!” Kjo është e bukura e “mbështetjes” moderne: të thuash fjalët e duhura në momentin e duhur, dhe pastaj t’i lësh ato t’i marrë lumi i mediave sociale, pa asnjë përpjekje reale për të ndryshuar diçka. Ky “solidaritet” është një farë flluske, që pas 24 orësh, porsi nje facebook/Instagram story do të zhduket, pa asnjë rezultat të prekshëm. Kjo është ndoshta forma më e sofistikuar e hipokrizisë.

Në fund të fundit, 8 Marsi është një mundësi e shkëlqyer për të krijuar një iluzion kolektiv se po bëjmë diçka ndryshe për grate. Po, po, komercialisht po behet diçka. Nesër ka ulje thuajse kudo, e nesër do të na bëjnë të ndihemi apriori të perkëdhelura, ndoshta do t’i kujtohemi dikujt se diku, dikur mund ta kemi frymëzuar, thjesht për hir të një date.

Tanimë, seriozisht ne kemi shumë arsye për të qenë krenare. Gratë thuajse janë më të fuqizuara se burrat në shumë dimensione. Na janë besuar role në punë fitimprurëse që tradicionalisht dominoheshin prej tyre./ Zoom.al